
Pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Qarkun e Fierit, ku ky i fundit ironizoi kandidatët e Partisë Demokratike dhe kritikoi opozitën, ka ardhur edhe reagimi i menjëhershëm i drejtuesit politik të PD-së për këtë qark, Gazment Bardhi.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Bardhi iu kundërpërgjigj Ramës duke e akuzuar për mashtrime, dështime dhe premtime të pambajtura.
“Besoj se njerëzit punëtorë dhe të ndershëm të qarkut të Fierit do t’i përgjigjen Edi Ramës njësoj si unë: gaz i botës bëhesh kur mashtron, kur vjedh. Respekti nuk vendoset me frikë dhe me dhunë,” u shpreh Bardhi.
Sipas tij, Rama përsërit të njëjtin model në çdo fushatë zgjedhore – premtime të mëdha, por rezultate “zero”.
“Sa herë ka zgjedhje, Edi Rama premtimet i bën të mëdha, por punët i ka ZERO. Nuk ka mbajtur asnjë premtim nga fushata e kaluar,” theksoi ai.
Bardhi shtoi se kryeministri tallet me qytetarët e Fierit, përfshirë socialistët, të rinjtë, gratë, pensionistët dhe fermerët. Duke e cilësuar Ramën si “një kryeministër të dështuar”, ai e akuzoi gjithashtu për përdorimin e figurave të korruptuara në radhët e PS-së, duke përmendur Belinda Ballukun si “kandidate për burg”.
Në përfundim, Bardhi i bëri thirrje qytetarëve të Fierit që të mos tremben, por të votojnë me guxim më 11 maj.
“Apeli im për qarkun e Fierit: Votoni pa frikë njerëz! Votoni pa frikën e Edi Ramës!” përfundoi ai.