
Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Tom Doshi, zhvilloi sot një takim elektoral në Vaun e Dejës, ku lëshoi akuza të forta ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Doshi e akuzoi direkt BECIN për përpjekje për blerje votash dhe për ushtrim presioni ndaj mbështetësve të PSD-së, duke përmendur edhe raste konkrete që, sipas tij, tregojnë manipulime në procesin zgjedhor.
“Drejtori i Spitalit të Shkodrës u kërkon votuesve tanë të vendosin shenjë dalluese në fletën e votimit. Kjo është e papranueshme,” deklaroi Doshi, duke shtuar se për këtë arsye, ai parashikon zgjedhje të reja për Bashkinë e Shkodrës. Ai shtoi se nuk e mbështet më kryebashkiakun Beci, për të cilin tha: “Benet Strajcën (Becin) e solla unë në Shkodër kryetar, ndërsa tani na kthehet kundër.”
Doshi shprehu bindjen se PSD do të dalë forcë vendimtare në Shkodër, duke marrë tre mandate në këtë qark dhe një mandat tjetër në Kukës. Ai u shpreh se pa mbështetjen e PSD-së, Partia Socialiste nuk do të jetë në gjendje të sigurojë mazhorancën.
“Pa ne nuk ka mazhorancë, t’i bëjë llogaritë PS-ja. Me PD-në nuk bëjmë aleancë kurrsesi,” theksoi ai.
Duke iu referuar vetes si faktor i pavarur, Doshi theksoi se PSD nuk është kundër Partisë Socialiste, por kundër korrupsionit në radhët e saj.
“Nuk mbështesim ministrat e korruptuar. Edhe vetë kryeministri ka thënë se nuk është avokat i tyre. Ne do t’i kthejmë dinjitetin PS-së,” shtoi ai.
Sipas Doshit, PSD po rritet si forcë në terren dhe nuk ka nevojë për mitingje të mbushura me autobusë: “Në Vaun e Dejës jemi forcë e parë,” deklaroi ai me bindje.