
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi sot një takim me drejtorët vendorë të Policisë, drejtorët e kufirit dhe migracionit, si dhe me drejtues të departamenteve qendrore, për të dhënë porosi të qarta në kuadër të përmbylljes së fushatës zgjedhore, ditës së votimit dhe sfidave të afërta që priten në vend.
Proda theksoi rëndësinë e rritjes së cilësisë së shërbimeve policore dhe kërkoi nga drejtuesit angazhim maksimal për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Ai paralajmëroi se Policia do të kalojë në shërbime të përforcuara për të përballuar zgjedhjet, aktivitetin ndërkombëtar “Giro d’Italia” dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj.
Në fjalën e tij, Proda kërkoi barazi të plotë nga strukturat e Policisë ndaj subjekteve politike, reagim të shpejtë dhe profesional ndaj çdo konflikti dhe ndjekje të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët apo partitë. Ai theksoi nevojën për përdorimin e inteligjencës policore për parandalimin e krimeve zgjedhore dhe monitorimin e rrjeteve sociale për të identifikuar shkeljet.
“Jemi përpara disa sfidave shumë të rëndësishme për imazhin e vendit, ndaj kërkoj nga gjithsecili, më shumë angazhim dhe përkushtim, që këto sfida t’i përballojmë me sukses dhe të përligjim besimin që qytetarët kanë te Policia e Shtetit.
Zbatoni ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke qëndruar të baraslarguar nga subjektet politike, si deri tani. Reagoni në kohë dhe me profesionalizëm, mos neglizhoni asnjë konflikt, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë në dukje, ndiqni në dinamikë çdo shqetësim të adresuar nga qytetarët apo nga përfaqësues të subjekteve politike dhe trajtojini ato ligjërisht, në bashkëpunim me Prokuroritë respektive.
Punoni me inteligjencë policore, për të parandaluar dhe goditur krimet elektorale. Strukturat e Policisë të vijojnë monitorimin intensiv të rrjeteve sociale, për evidentuar shkeljet ligjore që cenojnë procesin zgjedhor dhe të identifikojnë shtetasit përgjegjës.
Porositni shërbimet që pavarësisht rrethanave apo situatave me të cilat mund të përballen, asnjëherë të mos harrojnë se janë punonjës police dhe të vetmen armë mbrojtëse kanë – ligjin, ta zbatojnë me gjakftohtësi, profesionalizëm dhe përtej çdo paragjykimi.
Merrni masa që punonjësve të Policisë, pavarësisht planëzimit me shërbim, t’iu krijohet mundësia që të votojnë si çdo qytetar i këtij vendi.
Paralelisht me këto masa, në pikat e kalimit kufitar, të merren masa për të lehtësuar lëvizjen e shtuar të automjeteve dhe të qytetarëve, gjatë ditëve në vijim. Gjithashtu, të shtohen kontrollet në kufrin jeshil dhe në automjetet që do të kalojnë kufirin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.
Së fundi, Tirana, Elbasani, Durrës dhe Vlora, të koordinojnë veprimet me Departamentin e Rendit dhe Sigurisë, me Drejtorinë e Policisë Rrugore, Akademinë e Sigurisë dhe me Policitë Bashkiake, me qëllim që masat e marra të zbatohen me korrektësi në terren, për të mundësuar që aktiviteti ndërkombëtar “Giro d’Italia”, me impakt të madh për vendin, të zhvillohet në kushte të sigurta përsa i përket detyrave të Policisë, pavarësisht angazhimit dhe përkushtimit që Policia ka për mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor, në zbatim të ligjit dhe të Kodit Zgjedhor”, tha Proda.