
Gjatë një tubimi elektoral në zonën e Astirit në Tiranë, kreu i Partisë Mundësia, Ageron Shehaj, akuzoi klasën politike për korrupsion të vazhdueshëm dhe dështim në përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
“Shqiptarët janë qeverisur nga politikanë që u kanë marrë shpirtin, nuk i kanë lënë të punojnë,” deklaroi ai.
Shehaj tha se partia e tij përfaqëson punën e ndershme dhe distancohet nga populizmi dhe premtimet boshe.
“Shqipëria do pasurohet nga njerëzit punëtorë, jo nga shteti që u rri mbi qafë,” shtoi ai, duke theksuar se qeverisja e korruptuar ka ndikuar direkt në largimin e qytetarëve nga vendi.
“Shqiptarët fatkeqësisht janë qeverisur nga politikanë të korruptuar që thjesht jua kanë marrë shpirtin, nuk u kanë lënë të punojnë. Ne dallojmë nga të tjerë, të vjetër dhe të rinj. Ndryshe nga ata ne ia kemi dalë me punë të ndershme, ne nuk bëjmë populizma dhe premtime boshe, nuk tallemi me njerëzit, por u themi të vërtetën.
Ne nuk u themi që do i shpëtojmë, do t’i bëjmë më të pasur. Ne jemi të vetëdijshëm që Shqipëria do të pasurohet falë punës së njerëzve të ndershëm. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është t’i lëmë të punojmë, t’u heqim shtetin nga kurrizi.
Po të mos kishte patur këtë qeveri të korruptuar, Shqipëria do të kishte qenë më e pasur dhe nuk do të ishin larguar shqiptarët”, tha Shehaj.