
Drejtuesi politik i PD në Lezhë, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar pas plagosjes së pesë personave në Laç, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të rëndë kriminal që tregon pasigurinë në qytete.
Ai theksoi se plagosja e një gruaje që shiste qirinj për bukën e gojës është tregues i dështimit të strukturave të rendit dhe kërkoi nga drejtësia të veprojë me urgjencë për kapjen e autorëve.
Deklaratë për ngjarjen e rëndë në Laç
Plagosja e pesë personave në qytetin e Laçit është një akt i rëndë kriminal që dëshmon pasigurinë e jetës dhe rrezikun real që paraqesin personat e armatosur që lëvizin lirshëm nëpër qytete.
Një zonjë e pafajshme që shet qirinj në rrugë për bukën e gojës u qëllua nga plumbat. Kjo situatë është e pafalshme dhe tregon dështim serioz të strukturave të rendit, përfshirë drejtuesit lokalë të policisë dhe Ministrinë e Brendshme.
U bëj thirrje organeve të drejtësisë dhe hetimit të veprojnë me urgjencë për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj ngjarjeje, duke garantuar sigurinë dhe rendin për qytetarët.