Vendosni fjalën kyçe....

“Në tru janë bufa të vegjël, fara e keqe e LSI-së” – Rama për partitë e reja


Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Gjirokastër, ka ashpërsuar tonet ndaj partive të reja që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai i cilësoi këto parti si vazhdimësi e së shkuarës problematike në politikën shqiptare, duke i quajtur “farë e keqe” të lindur nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).

“Ju e dini ç’kemi hequr, ajo farë e keqe sot nuk duhet lënë të mbijë e të marrë fushat e politikës,” deklaroi Rama, duke shtuar se partitë e reja përdorin të njëjtën “gjuhë këneta”, plot sharje dhe akuza.

Kryesocialisti nuk kurseu ironinë as ndaj drejtuesve të këtyre partive, duke thënë se ndryshimi mes tyre dhe “këneta” është vetëm forma: “Këneta ka një buf të lodhur që i fiken llambat çdo pesë fjali, ata kanë disa të rinj vetëm në moshë, por në tru janë bufa të vegjël.”

Rama ka përdorur shpesh metaforën e “kënetës” për të përshkruar kundërshtarët e tij politikë dhe fushatën e sulmeve që, sipas tij, bëhet ndaj qeverisë.