Vendosni fjalën kyçe....

Trump njofton sanksione gjithëpërfshirëse kundër Iranit


Presidenti amerikan Trump ka njoftuar se vendet që vijojnë të blejnë naftë ose produkte petrokimike iraniane do përballen me sanksione dytësore.

Masa vjen pasi Uashingtoni dhe Teherani janë duke u angazhuar në bisedime mbi programin bërthamor të Iranit. Republika Islamike thuhet se është e gatshme të mos militarizojë programin në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Kushdo që zbulohet se bën tregti me naftë me Iranin “nuk do lejohet të bëjë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në asnjë mënyrë a formë,” shkroi Trump në një postim në Truth Social të enjten, duke shtuar se “të gjitha blerjet e naftës iraniane ose prodhimeve petrokimike duhet të ndalojnë, tani.”

Njoftimi erdhi një ditë pasi Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi sanksione kundër shtatë kompanive që tha se ishin të përfshira në tregtinë “e  paligjshme” të naftës dhe prodhimeve petrokimike iraniane. Lista përfshin gjashtë subjekte me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe një kompani turke dhe një kompani iraniane, shkruan Rt.

Në deklaratën e tij, Departamenti i Shtetit akuzoi Teheranin për nxitjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, për çuarjen përpara të programit të tij bërthamor dhe mbështetjen e “partnerëve dhe prokurëve terroristë”. Departamenti Amerikan i Thesarit nuk komentoi zhvillimet e fundit dhe nuk njoftoi ndonjë kufizim të ri.

Uashingtoni i ka bërë presion Teheranit për një marrëveshje të re mbi programin e tij bërthamor. Në mars, Trump kërcënoi se do bombardonte Iranin “nëse ata nuk bëjnë një marrëveshje”. Teherani u përgjigj duke thënë se nuk do t’i nënshtrohej presionit. Të dy palët kanë mbajtur tre raunde bisedimesh për këtë çështje që u lehtësuan nga Omani.

Megjithatë, raundi i katërt u shty për “arsye logjistike dhe teknike”, njoftoi më herët të enjten ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Ai shtoi se Teherani është megjithatë “më i vendosur se kurrë për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe të ekulibruar”.

SHBA ka akuzuar gjithashtu Iranin për mbështetjen dhe drejtimin e luftëtarëve Houthi në Jemen. Trump nisi një fushatë masive sulmi kundër militantëve në mars me një qëllim të deklaruar për të mbrojtur anijet në Detin e Kuq.