Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Kuçova: Drejtësia sot e pavarur, 11 Maji një moment historik për Shqipërinë


Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuçovë se qeverisja e Partisë Socialiste ka garantuar ndarjen e politikës nga drejtësia dhe e ka kthyer barazinë para ligjit në realitet.

Gjatë një takimi elektoral në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, Rama e cilësoi këtë datë si një moment historik, të krahasueshëm me zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Një nga pretendimet e ‘Kënetës’ dhe moçalishteve është se nuk e meritojmë një mandat të katërt sepse kemi gjysmën e qeverisë në burg,” – tha Rama.

“Shqiptarët nuk kishin parë më parë një njeri me pushtet që të dilte para drejtësisë. Por sot drejtësia nuk është më në zyrën e të parit të qeverisë.”

Ai theksoi se Partia Socialiste ka “çarmatosur veten”, duke e lënë drejtësinë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe të godasë “si majtas, ashtu edhe djathtas”.

Sipas Ramës, ky proces është kusht i domosdoshëm për integrimin europian: “Barazia para ligjit është themelore për ta dërguar Shqipërinë si zonjë në sallonin e Europës.”

Në vijim, Rama ironizoi deklaratat e kundërshtarëve politikë, duke thënë: “Bufi i Kënetës thotë se më 12 maj do shkrijë SPAK-un. Këta lloj politikanësh ende nuk duan të pranojnë se drejtësia po bën punën e saj.”

Duke i dhënë zgjedhjeve të 11 majit një ngarkesë të veçantë historike, Rama shtoi: “Rreziku që drejtësia të kthehet pas është real. Që drejtësia të mos groposet, ka vetëm një rrugë: Shqipëria në Bashkimin Europian. Ne po bëjmë histori.”

Kryeministri përmbylli fjalën e tij me thirrjen për një “fitore të madhe” për të vijuar reformat dhe për të garantuar një drejtësi të pavarur nga pushteti politik.