Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Trump, Mike Waltz dhe zëvendësi i tij mund të largohen nga detyra


Nga Jennifer Jacobs dhe Kathryn Watson – CBS News

Këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit Donald Trump, Mike Waltz, dhe zëvendësi i tij, Alex Wong, do të largohen nga detyrat e tyre në Shtëpinë e Bardhë, sipas disa burimeve të njohura me çështjen.

Të dy pritet të largohen të enjten, kanë konfirmuar burimet. Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment. Gazetari Mark Halperin ishte i pari që raportoi për dorëheqjet.

Shefja e stafit të presidentit, Susie Wiles, po zhvillon sot bisedime me disa anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas burimeve.

Mike Waltz u përball me kritika të forta në muajin mars, kur krijoi një grup komunikimi në aplikacionin “Signal” dhe për gabim përfshiu redaktorin e The Atlantic, Jeffrey Goldberg.

Në atë grup, diskutoheshin plane mes zyrtarëve të lartë të sigurisë për një sulm ushtarak ndaj objektivave të rebelëve Houthi në Jemen.

Goldberg fillimisht publikoi artikullin pa detaje operacionale, por më pas – pasi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard dhe Drejtori i CIA-s John Ratcliffe mohuan se ishin ndarë informacione të klasifikuara – ai publikoi edhe informacionin mbi kohën e goditjeve dhe paketat e armëve që do të përdoreshin.

Pasi Waltz pranoi vërtetësinë e raportimeve në takime me dyer të mbyllura, në Shtëpinë e Bardhë nisën diskutimet nëse ai duhet të dorëhiqej, por vetë Waltz nuk e ofroi dorëheqjen dhe presidenti Trump nuk e kërkoi largimin e tij në atë kohë. Publikisht, Trump e mbështeti Waltz-in duke e quajtur “një njeri të mirë” që “ka mësuar një leksion”.

Sipas një burimi të afërt me situatën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, presidenti mendon se ka kaluar mjaftueshëm kohë nga incidenti në “Signal”, saqë largimi i Waltz dhe Wong mund të paraqitet si pjesë e një riorganizimi. Presidenti ka qenë hezitues për ta shkarkuar Waltz-in menjëherë, nga frika se një veprim i tillë do të interpretohej si përkulje ndaj presionit publik.

Alex Wong ka shërbyer edhe gjatë administratës së parë Trump si përfaqësues i posaçëm për Korenë e Veriut dhe si zëvendësndihmës sekretar për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit në Departamentin e Shtetit. Në emërimin e tij, Trump kishte theksuar se Wong kishte ndihmuar në negociatat për takimin e tij me liderin koreano-verior Kim Jong Un.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CBS News