
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë në pyetje katër zyrtarë të Policisë së Shtetit, pas verifikimeve që treguan se ata kanë zhvilluar takime me shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Roven Zeka, ndërkohë që ky i fundit ndodhej nën arrest në bllokun e sigurisë për hetime mbi një çështje korrupsioni.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pas sekuestrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, ku janë konstatuar hyrje-dalje të zyrtarëve në ambientet ku mbahej Zeka, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) i thirrën në pyetje për të sqaruar arsyet e vizitës së tyre në qeli.
Të paktën tre prej zyrtarëve të pyetur u janë sekuestruar edhe telefonat celularë, të cilët po analizohen nga ekspertët për të zbardhur komunikime që mund të ndihmojnë në zbërthimin e rrjetit të dyshuar të ndërmjetësimeve dhe ndikimeve të paligjshme.
SPAK po heton zyrtarët për shpërdorim detyre, pasi rregulloret e brendshme ndalojnë zhvillimin e kontakteve me persona nën hetim, përveç rasteve të autorizuara zyrtarisht.
Në të njëjtën çështje hetimore, është sekuestruar edhe telefoni i një biznesmeni të njohur, për të cilin dyshohet se ka qenë ndërmjetësi mes Zekës dhe një tjetër biznesmen, i cili dyshohet se ka ofruar rryshfet me qëllim që bashkëshortja e tij të mos arrestohej pas një aksidenti rrugor me të plagosur.
Përveç Zekës, në kuadër të këtij rasti, SPAK ka arrestuar edhe shefin e sektorit të aksidenteve në Tiranë, Sokol Novaku, si dhe oficerin e policisë gjyqësore, Edison Tabaku.
Hetimet janë në vijim dhe priten zhvillime të tjera në ditët në vijim.