
Presidenti Donald Trump ka kërkuar më shumë kohë për të stabilizuar ekonominë amerikane, e cila është tkurrur për herë të parë në tre vjet.
Ai tha se shifrat janë mashtruese pasi kompanitë kishin grumbulluar importe para vendosjes së tarifave nga administrata e tij.
Megjithatë, Trump përmendi se janë premtuar 8 trilionë dollarë investime të brendshme, të cilat sipas tij do të rikthejnë kapacitetin prodhues të vendit.
Sipas Departamentit të Tregtisë, ekonomia amerikane u tkurr me 0.3% në normë vjetore, një rënie nga rritja prej 2.4% në tremujorin e mëparshëm.
Rënia ndodhi në kohën kur Trump shënon 100 ditë në detyrë, mes pakënaqësive publike për menaxhimin e tij ekonomik.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë në prani të drejtuesve të kompanive të mëdha, Trump fajësoi paraardhësin Joe Biden për situatën ekonomike.
Ai theksoi se vendimi për tarifat ka ndikuar në tregtinë globale dhe kërkoi miratimin e projektligjit të tij për shkurtime të mëdha taksash.
Kritika për këtë qasje nuk munguan.
Kongresmeni Hakeem Jeffries, udhëheqës i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, tha: “Kjo nuk është ekonomia e Joe Biden, Donald, është ekonomia juaj”.
“Është ekonomia e Trumpit, është një ekonomi e dështuar dhe populli amerikan e di këtë.”
Në të njëjtën kohë, Trump përmendi se problemet tregtare me Kinën kanë ndikuar te çmimet dhe furnizimi i mallrave, duke minimizuar ndikimin në konsumatorët amerikanë. Ai ka vendosur taksa të larta ndaj mallrave kineze, çka ka përshkallëzuar konfliktin tregtar me Pekinin./BBC