Vendosni fjalën kyçe....

Partia opozitare fiton zgjedhjet në Groenlandë


Partia Demokratike e Groenlandës në opozitë, e cila favorizon një qasje disi më të ngadaltë drejt pavarësisë nga Danimarka, fitoi zgjedhjet parlamentare të së martës, të cilat u mbizotëruan nga premtimi i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit.

Demokraatit siguroi 29.9% të votave me të gjitha votat e numëruara, nga 9.1% të marra në vitin 2021, përpara partisë opozitare Naleraq, e cila favorizon pavarësinë e shpejtë, me 24.5%.

Që nga marrja e detyrës në janar, Donald Trump është zotuar ta bëjë Groenlandën – që tani ka statusin e një territori gjysmë autonom nën Danimarkën – pjesë të Shteteve të Bashkuara, duke thënë se ishulli është jetik për interesat e sigurisë së SHBA-së, shkruan Reuters.

Ishulli i madh, me një popullsi prej 57,000 banorësh, është përfshirë në një garë gjeopolitike për mbizotërimin në Arktik, ku shkrirja e akullit po i bën burimet e tij më të prekshme dhe po hap rrugë të reja transporti. Si Rusia ashtu edhe Kina kanë shtuar veprimtarinë ushtarake në rajon.

“Njerëzit duan ndryshim. Ne duam më shumë biznes për të financuar mirëqenien tonë,” tha Jens-Frederik Nielsen, drejtuesi i Demokraatit dhe një ish-ministër i Industrisë.

“Ne nuk duam pavarësinë nesër, por duam një themel të mirë drejt saj,” u tha Nielsen gazetarëve në Nuuk. Ai tani do zhvillojë bisedime me partitë e tjera për të provuar të formojë një koalicion qeverisës.

Partia qeverisëse Inuit Ataqatigiit dhe partnerja e saj Siumut, të cilët gjithashtu kërkojnë një rrugë të ngadaltë drejt pavarësisë, fituan së bashku 36% të votave, nga 66.1% në 2021.

“Ne respektojmë rezultatin e zgjedhjeve,” tha kryeministri Mute Egede i Inuit Ataqatigiit në një postim në Facebook, duke shtuar se ai do dëgjojë çdo propozim në bisedimet e ardhshme të koalicionit.

Groenlanda është një ish-koloni daneze dhe ka qenë një territor i saj që nga viti 1953. Ajo fitoi një farë autonomie në vitin 1979 kur u formua parlamenti i saj i parë, por Kopenhagen ende kontrollon punët e jashtme, mbrojtjen dhe politikën monetare dhe siguron pak më pak se 1 miliard dollarë në vit për ekonominë.

Në vitin 2009, ajo fitoi të drejtën për të shpallur pavarësinë e plotë përmes një referendumi, edhe pse nuk e ka bërë këtë për shkak të shqetësimit se standardet e jetesës do bien pa mbështetjen ekonomike të Danimarkës.

“Unë besoj fuqimisht se shumë shpejt do fillojmë të jetojmë një jetë të bazuar në atë që jemi, bazuar në kulturën tonë, bazuar në gjuhën tonë dhe do fillojmë të bëjmë rregullore bazuar te interesat tona, jo të bazë të Danimarkës,” tha Qupanuk Olsen, kandidat për partinë kryesore pro-pavarësisë Naleraq.