Vendosni fjalën kyçe....

Avioni luftarak i Koresë së Jugut hedh aksidentalisht bomba në zonë civile, 8 persona të plagosur


Një avion luftarak i Koresë së Jugut hodhi aksidentalisht tetë bomba në një zonë civile gjatë një stërvitjeje të enjten, duke plagosur tetë persona, thanë zyrtarët.

Bombat MK-82, të lëshuara aksidentalisht nga avioni KF-16, ranë jashtë zonës së parashikuar të stërvitjes, duke shkaktuar dëme në zonat civile, sipas një deklarate të forcave ajrore.

Forcat ajrore kanë njoftuar se do të krijojnë një komitet hetimor për të zbuluar shkaqet e incidentit dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. Gjithashtu, ata kanë kërkuar falje për ngjarjen dhe kanë shprehur mbështetje për të plagosurit, duke premtuar kompensim dhe masa të tjera të nevojshme.

Incidenti ndodhi në Pocheon, një qytet pranë kufirit të fortifikuar me Korenë e Veriut. Sipas qendrës së reagimit ndaj fatkeqësive në Pocheon, gjashtë civilë dhe dy ushtarë u plagosën dhe po trajtohen në spitale. Katër prej të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë, të gjithë civilë, mes tyre dy shtetas të huaj, një nga Tajlanda dhe një nga Mianmari.

Dëme materiale u raportuan në tre shtëpi, një kishë katolike dhe një serë, por këto struktura nuk duket se janë goditur drejtpërdrejt nga bombat, sipas autoriteteve lokale./AP