Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori i BE në Tiranë: Reforma në drejtësi është e pakthyeshme, mbështetja do të vazhdojë



Ambasadori i BE në Tiranë Silvio Gonzato u shpreh se reforma në drejtësi në Shqipëri është e pakthyeshme. Gjatë tryezës së organizuar nga Ambasada e Holandës në Tiranë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Gonzato tha se do të vijojë mbështetja e BE-së për drejtësinë në Shqipëri.

Kryediplomati theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe integritetit të magjistratëve dhe shtoi se Bashkimi Evropian e ka mbështetur që në fillim procesin e Vettingut dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në përfundimin e tij.

“Besimi është një bindje që duhet të ushqehet vazhdimisht. Ai nuk mund të konsiderohet i dhënë. Kjo do të thotë se, ndërkohë që reforma në drejtësi është e pakthyeshme, zbatimi i saj kërkon vëmendjen dhe mbështetjen tonë të qëndrueshme. Sigurimi i pavarësisë dhe integritetit të gjyqtarëve është një detyrë dhe një përpjekje e përhershme”, tha ai.

Ndër të tjera, Gonzato u shpreh se “përgjegjësia dhe pavarësia janë në qendër të çdo shoqërie demokratike të qeverisur nga shteti i së drejtës”.