
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka akuzuar zv/kryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, duke e cilësuar emrin e saj si sinonim të shpërdorimit të parave publike.
Ai u ndal te afera e termocentraleve lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të cilat, sipas tij, u sollën me urgjencë për një krizë energjetike të shpikur nga qeveria, por nuk u aktivizuan asnjëherë. Bardhi pretendon se qëllimi i vërtetë ishte shpërdorimi i 80 milionë eurove dhe jo furnizimi me energji.
Ai ka kërkuar nga SPAK të nisë hetime penale ndaj Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të saj, duke e krahasuar këtë çështje me aferën e inceneratorëve.
“Emri i Belinda Ballukut është bërë sinonim i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Nuk ka asnjë rast, në asnjë vepër të rëndësishme, që firma e saj të mos ngrejë dyshim për shpërdorim të parave publike dhe përfitim personal sipas një skenari të paracaktuar.
E tillë është edhe afera e termocentraleve lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, që u sollën me urgjencë nga fundi i botës për një krizë imagjinare energjitike të shpallur nga Edi Rama, disa muaj përpara nisjes së luftës në Ukrainë, që solli pasiguri globale dhe çmime të larta në tregun e energjisë. Madje as atëherë, Tigrat e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës nuk u vendosën në punë, duke provuar se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike.
Historia e termocentraleve lëvizës, për të cilin i kam kërkuar zyrtarisht SPAK-it të nisë hetimet penale për Belinda Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj, është një histori e ngjashme me atë të inceneratorëve”, u shpreh Bardhi.