Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Zelensky do të nënshkruajë një “marrëveshje shumë të madhe” në SHBA të premten


Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të nënshkruajë një “marrëveshje shumë të madhe” në Shtetet e Bashkuara të premten. 

Marrëveshja e diskutuar midis SHBA-së dhe Ukrainës ka të bëjë me ndarjen e pasurive minerare të Ukrainës, në këmbim të ndihmës së kaluar amerikane dhe  ndoshta garancive të sigurisë. 

“Ne kemi arritur të bëjmë një marrëveshje ku do të marrim paratë tona mbrapsht dhe do të fitojmë shumë para në të ardhmen,” tha Trump, raporton BBC.

Ai shtoi se objektivi kryesor është arritja e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës:

“Më e rëndësishmja, ne do të bëjmë një marrëveshje me Rusinë dhe Ukrainën për të ndaluar vrasjet.”

Më herët, Zelensky deklaroi se në draft-marrëveshjen për mineralet me SHBA-në nuk ishin përfshirë garanci sigurie.

“Unë doja një fjali mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën, dhe është e rëndësishme që ajo të jetë aty,” tha ai. 

Trump nga ana e tij argumentoi se garancia e sigurisë do të jetë prania e amerikanëve në terren: “Askush nuk do të guxojë të ngatërrohet me njerëzit tanë kur ata të jenë atje.”