Vendosni fjalën kyçe....

Hyseni: Rama dhe PS-ja të vonuara në reagimin për shkeljen e standardeve nga SPAK-u


Anëtari i bordit të Shoqatës Botërore të Jurisprudencës Alket Hyseni pohoi se kryeministri Rama dhe PS-ja janë të vonuara për sa i përket reagimit të tyre lidhur me cenimin e standardeve ligjore nga SPAK-u.

Teksa komentoi masën e arrestit ndaj kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, ish-deputeti i PS-së nënvizoi se kreu i qeverisë Rama dhe mazhoranca duhet të kishte reaguar ndaj çdo shkeljeje standardi nga ana e prokurorisë qoftë kur kjo ka ndodhur ndaj një qytetari, qoftë ndaj një zyrtari publik.

Hyseni tha gjithashtu se  përtej gabimeve të SPAK-ut, gjykata që shërben si garantuese nuk funksionon si duhet.

“Unë nuk jam kundër SPAK-ut por mendoj se qëndrimi i PS-së për këtë është i vonuar. Në çdo moment kur vërehen cenime të standardeve duhet të jesh kundër dhe PS-ja duhet të ishte kundër sa herë që ka pasur cenim standardi, kundër çdo individi, qoftë ndaj individëve të vet, qoftë kundër kundërshtarëve politikë, sepse s’mund të jesh me një pjesë pro dhe me një pjesë kundër. PS-ja ka qenë e kujdesshme duke qenë se është iniciatorja dhe mbështetëse e reformës në drejtësi, pa PS-në kjo reformë nuk bëhej, por ajo duhet të reagonte për standardet. Përsëritja e akteve nga SPAK e bëri kryeministrin dhe mazhorancën që të reagojë. Në sferën e juristëve, të djathtë dhe të majtë ne disktuojmë se standardet po cenohen, jo nga të gjithë sepse në SPAK ka njerëz shumë të përkushtuar. Megjithatë nuk bëj me faj SPAK-un por gjykatën. SPAK dhe çdo organ akuze ka prirjen instiktive për të qenë më kërkues, për të gabuar por gjykata është ajo që duhet t’i mbajë në shina dhe fatkeqësisht gjykata këtu nuk funksionon si duhet. Roli i gjykatës më të lartë, Apelit apo Gjykatës së Lartë është shumë i rëndësishëm, ata duhet ta vënë në shina.” – tha Hyseni.

Hyseni shtoi se Shqipëria ka norma shqetësuese të masave të arrestit të cilat arrijnë trefishin e vendeve të BE-së. Sipas tij, edhe masat ndaj kreut të PD-së Berisha e ajo ndaj ish-presidentit Meta kanë qenë ekstreme.

“Kjo gjë shkon përtej Erjon Veliajt.  Organi i akuzës i suportuar, i karikuar me të gjithë energjitë ka filluar të punojë, ka dhënë rezultat por ndoshta zelli dhe ambicia e madhe, protagonizmi i madh brenda radhëve të veta mund të jenë arsye që po i çon në vendime të gabuara që kanë të bëjnë me disa parime që nuk janë të sotme, bota demokratike i ka stazhionuar prej kohësh. Instituti i prezumimit të pafajësisë është institut isë drejtës romake prej 2 mijë e kusur vjetësh. Nuk dua të paragjykoj dosjen por nuk është me vend kur një çëshje mund të hetohet ndaj një qytetari apo ndaj një të zgjedhuri në gjendje të lirë. Shqipëria ka norma shqetësuese të masave të arrestit, është në situatë alarmante dhe këtë e thonë institucionet ndërkombëtare. Kërkesa për masa arresti të bëra nga organi i akuzës janë tre herë më të larta se mesatarja e Evropës, gati trefish më të larta. Të njëjtën gjë mendoj edhe për masën ndaj Ilir Metës  dhe ndaj Sali Berishës, nuk e lidh me emra. Gjykata në këtë rast e korrigjoi akuzën duke vendosur se kemi të bëjmë me çështje që mund të hetohen në gjendje të lirë. Pavarësisht mendimit tim ndaj tyre, ata kanë një mision, kanë mbështetës. Masa e arrestit është ekstreme. Të shkosh direkt te masa e arrestit ndaj një personi i cili nuk ka rrezikshmëri ikjeje. Veliaj ka mbi një vit nën hetim edhe pse procedurialisht nuk i është komunikuar statusi nën hetim  që është shkelje fragrante proceduriale. Kjo nuk është ndaj Erjonit vetëm. Kjo po bëhet modë në SPAK. Thirren dhe pyeten pa u thënë se hetimi është ndaj tyre.” – nënvizoi Hyseni.