
Presidenti Trump kërcënoi se mund të ndërpresë ndihmën për Jordaninë dhe Egjiptin nëse ata kundërshtojnë kërkesën e tij për të marrë përgjithmonë shumicën e palestinezëve nga Gaza. Kjo ihste një rritje e ndjeshme e presionit mbi aleatët kryesorë në rajon për të mbështetur propozimin e tij të guximshëm lidhur me zhvendosjen e gjithë popullsisë së territorit.
Presidenti tha gjithashtu nga Shtëpia e Bardhë se nëse Hamasi nuk i liron të gjithë pengjet e mbetura izraelitë deri në “ora 12 të mesditës të së shtunës”, marrëveshja e armëpushimit me Izraelin duhet të anulohet.
Jordania dhe Egjipti, dy përfituesit kryesorë të ndihmës ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, kanë hedhur poshtë çdo sugjerim që palestinezët të zhvendosen në vendet e tyre. Por Trump tha të hënën se ndihma mund të jetë në rrezik.
“Nëse ata nuk bien dakord, unë mund të ndaloja ndihmën,” u tha ai gazetarëve në përgjigje të një pyetjeje një ditë përpara një takimi me Mbretin Abdullah II të Jordanisë.
Trump zgjeroi idenë e zhvendosjes së detyruar të afërsisht dy milionë palestinezëve, një lëvizje që disa studiues kanë thënë se do përbënte krim lufte dhe spastrim etnik.
I pyetur në intervistë nëse palestinezët do të “kishin të drejtën të kthehen” në Gaza pasi të kishin përfunduar projektet e tij të propozuara të ndërtimit, presidenti tha: “Jo, ata nuk mund të ktheheshin “.
Sa i përket vendit ku mund të shkojnë, ai tha: “Mendoj se mund të bëj një marrëveshje me Jordaninë. Mendoj se mund të bëj një marrëveshje me Egjiptin.”