Vendosni fjalën kyçe....

Big Tech i pandalshëm në garën për Inteligjencën Artificiale, plane masive shpenzimesh për vitin 2025


Shpenzimetemëdha të gjigantëve të teknologjisë (Big Tech) për inteligjencën artificiale do vijojnë të pakufishme në vitin 2025 pasi Amazon u ngjit në krye të rivalëve të saj me një investim të planifikuar prej 100 miliardë dollarësh në infrastrukturë këtë vit.

Shpenzimet nga katër kompanitë kryesore të teknologjisë amerikane ishin rritur tashmë 63 për qind duke kapur nivele historike vitin e kaluar. Tani drejtuesit po zotohen të përshpejtojnë investimet e tyre në AI (Inteligjenca Artificiale), duke hedhur poshtë shqetësimet në lidhje me shumat e mëdha të vëna bast për teknologjinë e sapolindur.

Microsoft, Alphabet, Amazon dhe Meta kanë raportuar shpenzime kapitale prej 246 miliardë dollarësh në vitin 2024, nga 151 miliardë dollarë në vitin 2023. Ata parashikojnë se shpenzimet mund të tejkalojnë 320 miliardë dollarë këtë vit, ndërsa konkurrojnë për të ndërtuar qendra të dhënash dhe për t’i mbushur ato me grupe çipash të specializuar për të qëndruar në ballë të kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore të AI.

Shkalla e ambicieve të tyre të shpenzimeve – të shpallura së bashku me fitimet e tyre të tremujorit të katërt – ka befasuar tregun dhe ka përkeqësuar shitjen e shkaktuar nga hedhja në treg e një modeli inovativ dhe të lirë të AI nga startup-i kinez DeepSeek në fund të janarit.

Microsoft dhe Google panë secila t’u zhdukeshin 200 miliardë dollarësh nga vlera e tyre e tregut pasi raportuan rritje më të dobët se sa pritej në divizionet e tyre të informatikës cloud krahas rritjeve të mëdha të shpenzimeve kapitale. Rënia prej 8 për qind e Google të mërkurën ishte dita e pestë më e keqe e tregtimit në dekadën e fundit.

“Entuziazmi i shfrenuar është zëvendësuar nga skepticizmi dhe ka krijuar disa situata të paqëndrueshme.” – tha Jim Tierney, kreu i fondit të përqendruar të rritjes amerikane në AllianceBernstein.

Mes zhurmës rreth potencialit shndërrrues të AI, aksionerët shqetësohen se dyfishimi i shpenzimeve pa një rritje proporcionale të të ardhurave mund të shfrytëzojë kapital që përndryshe do kthehej në formën e blerjeve dhe dividentëve, ndërkohë që linjat e biznesit jo të AI do vuanin nga uria.

Google ka qenë i paqartë në lidhje me përdorimin dhe të ardhurat nga chatbot-i i tij Gemini, ndërsa kompanitë kanë qenë të kujdesshme për të adoptuar “agjentët” e shkëlqyeshëm dhe të kushtueshëm të Microsoft Copilot për të përmirësuar prodhueshmërinë e fuqisë punëtore.

Modeli R1 i DeepSeek ishte emblematic për sa u përket frikërave të tilla. Pretendimi i startup-it kinez të AI për të ndërtuar një model arsyetimi me aftësi të ngjashme me produktet e Google dhe OpenAI me një çmim shumë më të vogël dhe pa pasur nevojë në njësitë më të avancuara të përpunimit grafik të Nvidia – bëri që stoku i prodhuesit të çipave të bjerë 17 për qind, duke fshirë 600 miliardë dollarë brenda një dite, nga të cilat ka rikuperuar vetëm jë pjesë.

Të martën, Sundar Pichai i Google tha në mbrojtje të planit të tij për të shpenzuar 75 miliardë dollarë në vitin 2025, 42 për qind më shumë nga 53 miliardë dollarë të vitit të kaluar – se mundësia e AI ishte “aq e madhe dhe nuk është shfaqur ende plotësisht dhe kjo është arsyeja pse po na shihni të investojmë për të përmbushur këtë hapësirë”.

DeepSeek do shtonte kërkesën duke treguar se si teknikat e reja mund ta bëjnë atë më të lirë dhe të nxisin linja të reja kërkimi, tha ai.

Satya Nadella i Microsoft tha dy javë më parë në Davos: “Unë do të shpenzoj 80 miliardë dollarë për të ndërtuar Azure, klientët mund të mbështeten te Microsoft”.

Të enjten, kreu i Amazon Andy Jassy kryesoi ndaj Google dhe Microsoft duke parashikuar më shumë se 100 miliardë dollarë shpenzime kapitale këtë vit, nga 77 miliardë dollarë në vitin 2024 dhe më shumë se dyfishi i 48 miliardë dollarëve të një viti më parë. Shumica dërrmuese do shkojë drejt qendrave të të dhënave dhe serverëve për Shërbimet Ueb Amazon, dhe Jassy tha se ai thjesht po i përgjigjej “sinjaleve të rëndësishme të kërkesës”.

“Rritja ka ngecur disi, por oreksi për të investuar nuk është zvogëluar,” tha Jeff Pearson, nënkryetar i strategjisë së cloud në konsulencën Presidio.

“Ata po ecin përpara me investimet edhe nëse kthimi i investimit duket i largët.”

META mori një pritje më pozitive për të ardhurat e saj, me aksionet e saj në rritje edhe pse shefi Mark Zuckerberg u zotua të shpenzonte “qindra miliarda” më shumë në AI, në krye të 40 miliardë dollarëve të investuar në vitin 2024.

“Investitorët kanë përqafuar META-n, edhe pse kapitali i tyre po rritet, sepse ka një përmirësim në kohë reale të kthimit të investimit në shpenzimet e klientëve që është i matshëm,” tha Tierny, duke iu referuar përdorimit të AI nga META për të përmirësuar shënjestrimin e reklamave në Facebook dhe Instagram.

Suksesi i META-s në shfaqjen e fitimeve të prekshme nga investimi i AI qëndronte në kontrast me Google, i cili përballet me konkurrentë të rinj dhe detyrën e vështirë për të integruar AI në motorin e kërkimit pa kanibalizuar biznesin e saj kryesor të reklamave.

Gjiganti i kërkimit ka prezantuar përgjigje të shkurtra, ose “Përmbledhje të AI”, në krye të rezultateve të kërkimit, por këto po i zhvendosin listat e tij të lidhjeve, nga ato prej të cilave shpesh sponsorizohet me fitim.

Megjithatë, “edhe nëse ka të çara në perandorinë e kërkimit të Google, sigurisht që nuk po shfaqen ende”, tha analisti i Bernstein, Mark Shmulik, duke vënë në dukje një rritje prej 13 për qind të të ardhurave nga reklamat në 54 miliardë dollarë vetëm në tre muajt e fundit të 2024.

“Google nuk i ka humbur pritshmëritë e kërkimit as edhe një herë që kur ChatGPT u prezantuA nëntë tremujorë më parë.”

Shpenzimet në mesin e “Shtatë të Mëdhenjve” – e cila përfshin gjithashtu Apple, Nvidia dhe Tesla – zvogëlojnë pjesën tjetër të vlerësimit standard të “S&P 500” në SHBA. Shpenzimet e tyre kapitale u rritën 40 përqind në 2024 krahasuar me 3.5 përqind midis 493 kompanive të mbetura, sipas Sociérale.en.

Fitimet midis grupit elitar u rritën me një të tretën në të njëjtën periudhë, kundrejt 5 për qind midis pjesës tjetër.

Rritja e shpenzimeve nuk kufizohet vetëm në kompanitë e listuara publikisht dhe as Deep Seek dhe as frika e një flluske të AI nuk e kanë ngadalësuar rrjedhën e kapitalit në sipërmarrjet fillestare të Silicon Valley.

Sam Altman i OpenAI ka krijuar një partneritet me SoftBank dhe Oracle për të investuar 100 miliardë dollarë në infrastrukturën amerikane të lidhur me AI, potencialisht duke u rritur në gjysmë trilioni me kalimin e kohës. Investitori japonez është në bisedime për të investuar 25 miliardë dollarë në start-up me një vlerësim prej 260 miliardë dollarësh.

“A mund të ketë një dimër të AI në një çast? Sigurisht,” tha Rishi Jaluria, një analist në RBC Capital Markets.

“Por nëse je në një pozicion për të udhëhequr, nuk mund ta heqësh këmbën nga gazi.”