Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi në Magdeburg, Ministria e Jashtme: Nuk kemi të dhëna për shtetas shqiptar të dëmtuar


Sulmi terrorist në qytetin Magdeburg, në Gjermani është kthyer në një tragjedi të vërtetë, pasi një makinë u fut me shpejtësi në tregun e Krishtlindjeve, duke përplasur turmën e njerëzve.

Sipas të dhënave të para nga mediat gjermane, të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë janë plagosur, shumë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Magdeburgu, kryeqyteti i rajonit Saxony-Anhalt, është një qytet me rreth 240,000 banorë, i vendosur në perëndim të Berlinit. Pas sulmit, zona përreth tregut është rrethuar nga forca të shumta policie, ndërsa dyshohet se automjeti i llojit “BMW”, që përdori agresori, mund të përmbante eksploziv të pashpërthyer.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka reaguar pas sulmit tragjik në Magdeburg të Gjermanisë, duke e cilësuar atë si një akt mizor.

Hasani shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e personave të prekur nga ky akt i rëndë, ndërsa deri më tani raportohet një bilanc i rëndë me 11 viktima dhe dhjetëra të plagosur.

“Thellësisht të tronditur nga lajmi për sulmin mizor në Magdeburg, i cili ka lënë dhjetëra familje të shkatërruara gjatë një periudhe që duhej të ishte e gëzueshme.

Zemrat tona janë pranë viktimave, familjeve të tyre dhe popullit gjerman gjatë kësaj kohe të vështirë”, shkroi Hasani.

Sakaq, ministria e Jashtme njoftoi se deri më tani nuk ka informacione se në Magdeburg ka të plagosur apo viktima nga Shqipëria.

“Sipas informacioneve paraprake, deri më tani nuk ka shtetas shqiptarë të lënduar”, njoftoi Ministria e Jashtme.

Edhe Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke u shprehur  se Shqipëria solidarizohet me Gjermaninë në këto momente të dhimbshme duke shtuar se “mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstemizmit të dhunshëm”.

Vërtet i tmerruar nga sulmi terrorist në Magdeburg, që mori jetë të pafajshme dhe plagosi shumë te tjerë gjatë festimeve në Marketin e Krishtlindjeve. Shqipëria e dënon ashpër këtë akt barbar dhe qëndron në solidaritet me Gjermaninë në këtë moment të dhimbshëm. Mbetemi të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”-shkruan Rama në rrjetin X.