Kreu i Komisionit Hetimor për TIMS, tha në ‘Task Force’ në Syri TV, se socialistët po bëhen barrikadë për të mbrojtur persona me aktivitet kriminal.
Salianji tha se mënyra se si po veprojnë i ka kthyer edhe në qesharakë, ndërkohë që duket se ne jemi përpara një grupi kriminal që kishte si objektiv pikërisht ndërhyrjen në sistemin TIMS.
Deputeti demokrat u shpreh se deputetët socialistë po shkelin dinjitetin e tyre dhe po kthehen në shërbëtorë të personave me aktivitet kriminal.
Duke komentuar largimin e deputetëve të PS nga komisioni hetimor në mbledhjen e djeshme, Salianji tha se njëlloj siç ikën ata dje, ashtu ka hyrë edhe ai drejtori i IT-së kur ndërhyri në sistemin TIMS.
“Ne kemi kërkuar me vendim të ndërmjetëm si Komision, informacion nga Kryeministri, pasi ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndërhyrje në TIMS. Le të na thotë se kur e ka marrë këtë informacion, kush ia ka dhënë dhe ku e ka parë garancinë se nuk ka pasur ndërhyrje. Gjithashtu kemi kërkuar informacion nga Ministri i Brendshëm, AMP, Policia dhe institucione të tjera”, tha Salianji.
Sipas tij, thelbi është që PS do të fitojë kohë për të fshehur provat, manipuluar dhe falsifikuar provat.
“Po tentohet të falsifikohen protokollet e Policisë së Shtetit. Ne po kërkojmë informacione, këta mendojnë se e kanë shtetin në xhep dhe mendojnë se letrat i nxjerrin nga xhepi kur të duan”, tha Salianji.
Salianji shpreson se edhe arrestimi i drejtorit të IT të mos jetë një truk për të mbyllur hetimin dhe për të thënë se përgjegjësia ishte e këtij dhe kaq.
“Shpresoj mos jetë kjo logjikë, që të thonë ky ishte përgjegjës. Po përpiqen të mbulojnë ata që nuk mbulohen. Komisioni çoi në arrestimin e këtij drejtorit të IT, sikundër u shkarkua ai drejtori i DSIK”, tha Salianji.