Vendosni fjalën kyçe....

Rrumbullaku i thirri në takim për protestën e 6 dhjetorit, përfaqësuesit e PD-së: Ne do ta bëjmë protestën tonë


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka thirrur sot në takim disa përfaqësues të Partisë Demokratike për të diskutuar lidhur me zhvillimin e protestës së 6 dhjetorit.

Ndonëse autoritetet i kanë ndaluar ta zhvillojnë protestën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për shkak të Samitit të BE-së që mbahet në Tiranë, opozita duket e vendosur ta zhvillojë protestën pikërisht atje.

Dy përfaqësues të PD-së në takimin e kërkuar nga drejtori i Policisë ishin Çlirim Gjata dhe Ervin Minarolli.

Ky i fundit tha në një prononcim për mediet: “S’është pjesë për të rënë dakord policia, ne thjesht i njoftuam. E drejta e tubimit është e drejtë ligjore.”

Ndërsa Gjata u shpreh se kjo do jetë një protestë që do t’u tregojë partnerëve ndërkombëtarë për korrupsionin që po bën kjo qeveri.

“Atëherë policia do të jetë në thyerje të rëndë të Kushtetutës dhe të akteve ndërkombëtare për të drejtën e protestës, do t’u tregojë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë që unë s’jam një polici e një vendi demokratik, jam një polici në shërbim të një njeriu, të pushtetit të një njeriu…

Dhe policia do të jetë në shkelje, në shërbim të pushtetit të një njeriu dhe këtë do ta kuptojnë të gjithë partnerët ndërkombëtarë që do të vijnë atë ditë. Në do të bëjmë protestën tonë paqësore. Është e drejtë kushtetuese. Të 16 llojet e sigurisë, të 616 llojet e sigurisë, kanë detyrimin të zbatojnë Kushtetutën, të drejtën Kushtetuese.”- tha Gjata.

Protesta e thirrur nga PD do të zhvillohet në të njëjtën ditë kur Tirana pret liderët e BE-së.