Vendosni fjalën kyçe....

Pas tragjedisë në Teksas, burrit të mësueses së vrarë i pushon zemra, katër fëmijë mbeten jetimë


Burri i një prej mësueseve që vdiqën në të shtënat me armë në një shkollë fillore në Teksas të martën, ka humbur jetën nga një atak në zemër dy ditë pas tragjedisë.

Joe Garcia ishte burri i Irma Garcia, e cila kishte dhënë mësim për 23 vjet në shkollën fillore Robb.

Zonja Garcia ishte një nga dy mësueset e vrara nga një adoleshent i armatosur. Përveç dy mësueseve, nga kjo tragjed humbën jetën edhe 19 fëmijë.

Siç shkruan BBC, çifti Garcia që ishin të martuar prej 24 vitesh, kanë lënë pas katër fëmijë të moshës nga 12 deri në 23 vjeç.

Në internet ka nisur një fushatë mbledhje fondesh, duke synuar të arrihen 10 mijë dollarë për t’ja dhënë katër fëmijëve.

Por deri të enjten mbrëma, këto pritshmëri janë tejkaluar dhe janë arritur të mblidhen gati 1.6 milion dollarë.

Faqja GoFundMe tha se ishte organizuar nga kushërira e zonjës Garcia, Debra Austin. Ajo shkruan: “Unë me të vërtetë besoj se Joe vdiq nga një zemër e thyer”.

Pas të shtënave vdekjeprurëse, zonja Garcia u gjet nga oficerët “duke përqafuar fëmijët në krahët e saj deri në frymën e saj të fundit”.

“Ajo sakrifikoi veten duke mbrojtur fëmijët në klasën e saj.”- shkroi nipi i mësueses së vrarë, John Martinez në një faqe për mbledhjen e fondeve. “Ajo ishte një heroinë”.

Zonja Garcia dhe mësuesja tjetër e vrarë në të shtënat, Eva Mireles, kishin dhënë mësim së bashku për pesë vjet dhe kishin më shumë se 40 vjet përvojë.