Vendosni fjalën kyçe....

Ujësjellësi i Fierit thirrje qytetarëve: Mos e pini ujin që u vjen në rubineta, ka ngarkesë të lartë mikrobiale


Ujësjellësi i Fierit u ka bërë thirrje qytetarëve në këtë bashki që të mos e përdorin për të pirë ujin që u vjen në rubineta.

Sipas ndërmarrjes, pas analizave të kryera është gjetur ngarkesë mikrobike mbi nivelet e lejuara.

Shkak për këtë thuhet në njoftim janë bërë reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit.

Ujësjellësi bën me dije se uji mund të përdoret vetëm për përdorim sanitar deri në një njoftim të dytë.

Njoftimi

Në vijim të komunikimit në lidhje me cilësinë e ujit të pijshëm në bashkinë e Fierit, pas situatës së krijuar si pasojë e përmbytjeve, ju bëjmë me dije se nga përgjigjet paraprake të mostrave të ujit të analizuara nga Instituti i Shëndetit Publik – të 9 mostrat në puset që furnizojnë me ujë të pijshëm bashkinë e Fierit, në Kafaraj, në Depo, në qafën e Koshovicës dhe në pika të rrjetit, – rezultojnë me ngarkesë mikrobike dhe janë jo konform standartit shtetëror, në bazë të VKM 379 datë 25.05.2016 “Për Miratimin e Rregullores “Cilësia e ujit të pijshëm”. Për këtë arsye uji nuk rekomandohet për t’u konsumuar si ujë i pijshëm për qytetarët. Ai mund të përdoret vetëm për përdorim sanitar (komunal) deri në një përgjigje të dytë nga ISHP.”