Vendosni fjalën kyçe....

Partnerët e koalicionit i kthejnë mendjen Zaevit për dorëheqjen: Qeveria e qëndrushme, do vijojë punën


Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, i kanë kërkuar kryeministrit Zaev që të qëndrojë në krye të qeverisë e të vijojë punën deri në përfundim të mandatit.

Zaev dha dorëheqjen si kryeministër e lider i LSDM-së mbrëmjen e së dielës pasi partia e drejtuar prej tij humbi zgjedhjet lokale.

Takimi mes Zaevit e partnerëve të koalicionit ka zgjatur rreth tre orë dhe është thirrur nga kreu i qeverisë. Sipas tyre, qeveria duhet të vijojë punën për të çuar përpara reformat e nisura.

Pas përfundimit të takimit, qeveria ka dalë me një deklaratë duke pohuar se është e qëndrueshme dhe e fortë dhe do vijojë punën duke mbyllur shtegun për zgjedhje të parakohshme, shkruan Alsat.

“Sot me ftesë të kryeministrit Zaev në Qeveri u zhvillua takim i përfaqësuesve të të gjithë partive politike që e përbëjnë shumicën parlamentare në Kuvend”, deklarojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke sqaruar që të gjithë partnerët morën pjesë. Qeveria vlerësoi që zgjedhjet e reja e fusin vendin në një krizë të re politike, ekomomike, shoqërore dhe të sigurisë, duke e ngadalësuar edhe procesin eurointegrues. “Shumica parlamentare është stabile dhe përgjegjëse për të ardhmen e shtetit dhe popullit. Së bashku u konstatua se Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët të vendit nuk i nevojitet zgjedhjet e parakohshme parlamentare.” – thuhet në deklaratën zyrtare pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë.