Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptarët, me ‘patriotizëm’ të ulët ekonomik, preferojnë të konsumojnë produkte të huaja më shumë se rajoni


Shqiptarët kanë përqindjen më të madhe të popullsisë që nuk preferon të konsumojë prodhime vendase, por në vend të tyre, produkte nga vende të tjera.

Sipas anketës së Barometrit të Ballkanit 2021, 32% e shqiptarëve preferojnë të konsumojë produkte të huaja, kryesisht nga BE. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon, pasi fqinjët tanë preferojnë më shumë të konsumojnë prodhimet vendase.

Nga totali i të anketuarve, vetëm 66% e shqiptarëve preferuan të konsumonin produkte vendase, kjo ishte përqindja më e ulët në Rajon, pasi përgjithësisht 80% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor preferojnë të konsumojnë prodhime vendase në vend të atyre të importit.

Anketa zbuloi se një numër në rritje i të anketuarve, mbështesin forcimin e lidhjeve tregtare brenda Rajonit të Ballkanit Perëndimor, megjithëse ky numër nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar.

Që nga fillimi i Barometrit Ballkanik, BE perceptohet si partneri tregtar më i preferuar në rajon, me dy të tretat e të anketuarve gjithsej që mbrojnë përmirësimin e mëtejshëm të lidhjeve tregtare dhe investimeve midis qeverive të tyre dhe kësaj ekonomie.

Afërsisht një e treta e pjesëmarrësve në anketë janë në mbështetje të forcimit të marrëdhënieve tregtare me Rusinë dhe më shumë se një e treta e shikon Turqinë si partnerin potencial tregtar për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por ekziston një interes në rritje në Rajon për tregun kinez.

Nxitës mbetet fakti se mallrat dhe shërbimet vendase po konsiderohen gjithnjë e më shumë si produkte konkurruese në krahasim me mallrat e importuara nga vendet tjera perëndimore Ekonomitë e Ballkanit dhe BE.

Serbët shfaqin një patriotizëm të thellë ekonomik, pasi kanë besueshmëri të lartë (88%) në produktet vendase në krahasim me ato të BE-së dhe Ballkanit.

Sërish një shumicë e konsiderueshme e qytetarëve të rajonit presin që hyrja e kompanive të huaja në tregun vendas të përmirësojë shërbimet dhe mallrat për konsumatorët (68%), ndërsa 21% janë skeptikë në lidhje me përfitimet e perceptuara.

Shqipëria ka përqindjen më të lartë (76%) të të anketuarve që presin një rezultat pozitiv nga hyrja e kompanive të huaja, ndërsa më pak entuziaste është Bosnje -Hercegovina, me 28% e popullsisë së anketuar të pakënaqur me perspektivën të korporatave të huaja. /B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor