Shtyhet deri më 15 gusht 2019, afati për aplikimet për pranim në Kolegjin Profesional të Lartë për “Patrullë e Përgjithshme”, ku pritet të plotësohen 500 vende.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ky vendim është ndërmarrë pas kërkesave të shumta në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në Drejtoritë Vendore të Policisë nga qindra të rinj e të reja, të cilët kanë shprehur dëshirën për të konkurruar dhe bërë pjesë e Policisë, por për arsye të ndryshme nuk kanë mundur dot të plotësojnë gjithë dokumentacionin deri më datën 3 gusht.
Në njoftim thuhet gjithashtu se Policia e Shtetit, do u vijë në ndihmë aplikantëve, duke u mundësuar që dy prej dokumenteve të kërkuara, certifikatën familjare dhe dëshminë e penalitetit, t’i marrin në zyrat e shërbimit për qytetarët.
Njëkohësisht të gjithë aplikantët që janë regjistruar në kursin për Leje Drejtimi, të paraqesin në dokumentet e kërkuara, vërtetimin që ndjekin këtë kurs, dhe në momentin që shpallen fitues në fazën e parë të konkurrimit, duhet të paraqesin Lejen e Drejtimit, në të kundërt skualifikohen dhe nuk kanë të drejtë të vijojnë fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Formulari dhe lista me dokumentet që duhet të plotësojnë aplikantët, tërhiqen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikantët kanë vendbanimin të regjistruar në Gjendjen Civile.