Vendosni fjalën kyçe....

SHBA shpall bllokadë detare ndaj Iranit pas dështimit të bisedimeve


SHBA ka njoftuar se do të nisë një bllokadë të plotë detare ndaj Iranit, duke përfshirë të gjithë trafikun që hyn dhe del nga portet iraniane, pas dështimit të bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve, përcjell Reuters.

Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane bëri të ditur se masa do të hyjë në fuqi duke filluar nga dita e hënë, ndërsa do të zbatohet ndaj të gjitha anijeve, pavarësisht flamurit që mbajnë. Përjashtim do të bëjnë vetëm mjetet detare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit drejt porteve jo-iraniane.

Presidenti Donald Trump paralajmëroi gjithashtu se forcat amerikane do të ndalojnë çdo anije që ka paguar tarifa ndaj Iranit, duke theksuar se “askush që paguan tarifa të paligjshme nuk do të ketë kalim të sigurt në det të hapur”.

Vendimi vjen pas dështimit të bisedimeve të zhvilluara në Islamabad, të cilat përbënin kontaktin e parë të drejtpërdrejtë mes dy vendeve pas më shumë se një dekade dhe nivelin më të lartë diplomatik që nga Revolucioni Islamik i Iranit 1979.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane reaguan ashpër, duke paralajmëruar se çdo veprim ushtarak pranë Ngushticës së Hormuzit do të konsiderohet shkelje e armëpushimit dhe do të përballet me kundërpërgjigje.

Ndërkohë, tensionet kanë ndikuar menjëherë në tregjet globale, me çmimet e naftës që u rritën mbi 100 dollarë për fuçi dhe lëvizjet e anijeve cisternë që shmangin zonën për shkak të pasigurisë.

Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i situatës mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë globale, duke rritur çmimet e energjisë dhe presionin inflacionist, ndërsa e ardhmja e armëpushimit mbetet e pasigurt.