Hungaria po përjeton sot një nga ditët më dramatike të historisë së saj politike moderne. Sipas të dhënave të fundit, pjesëmarrja në votime ka arritur nivele rekord, duke lëkundur seriozisht pushtetin 16-vjeçar të kryeministrit Viktor Orbán.
Deri në orën 13:00 (GMT), rreth 66% e votuesve kishin hedhur votën e tyre, një shifër kjo dukshëm më e lartë se 52.75% e regjistruar në të njëjtën kohë gjatë zgjedhjeve të vitit 2022.
Ky fluks masiv vjen në një kohë kur sondazhet e opinionit publik tregojnë se partia opozitare e qendrës së djathtë, “Tisza”, e udhëhequr nga Péter Magyar, kryeson me rreth 7 deri në 9 pikë përqindjeje ndaj partisë “Fidesz” të Orbánit, sipas Reuters.
Pasi hodhi votën e tij në Budapest, lideri i opozitës Péter Magyar u shpreh besimplotë për rezultatin, duke e cilësuar këtë votim si një zgjedhje ekzistenciale për vendin.
“Sot hungarezët do të shkruajnë historinë duke zgjedhur mes Lindjes dhe Perëndimit. E vetmja pyetje tani është nëse Tisza do të marrë një mazhorancë të thjeshtë apo një shumicë prej dy të tretash, që do të na lejonte të ndryshonim kushtetutën,” deklaroi Magyar, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo parregullsi.
Nga ana tjetër, kryeministri Viktor Orbán, i cili ka fituar katër zgjedhjet e fundit radhazi, u mjaftua me një deklaratë më të ftohtë për mediat: “Në Hungari ka një kushtetutë dhe ajo duhet të ndiqet. Vendimi i popullit duhet të respektohet.”
Shpresa për ndryshim dhe frika nga lufta
Fushata është dominuar nga narrativat e kundërta.
Ndërsa qeveria ka mbushur vendin me pankarta që paralajmërojnë se një fitore e opozitës do ta tërhiqte Hungarinë në luftën e Rusisë me Ukrainën, votuesit e rinj po kërkojnë me ngulm ndryshimin.
“Kemi nevojë për një përmirësim të frymës publike. Ka shumë tension në shumë fusha dhe qeveria aktuale vetëm sa i ushqen këto ndjenja,” u shpreh Mihaly Bacsi, një votues 27-vjeçar në kryeqytetin hungarez.
Megjithatë, mbështetja për Orbánin mbetet e fortë te brezi i vjetër, që vlerëson politikat e tij sociale dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Vëmendja e botës te Budapesti
Rezultati i këtyre zgjedhjeve po ndiqet me ankth në Bruksel, Moskë dhe Uashington.
Një humbje e mundshme e Orbánit do t’i hiqte Rusisë aleatin e saj më të ngushtë brenda Bashkimit Europian dhe mund të zhbllokonte menjëherë kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të cilën lideri hungarez e ka mbajtur peng.
Për rrethet e krahut të djathtë në Perëndim, përfshirë administratën Trump në SHBA, rrëzimi i “modelit të demokracisë iliberale” të Orbánit do të ishte një goditje e rëndë simbolike.
Qendrat e votimit pritet të mbyllen në orën 19:00 (17:00 GMT), kur edhe do të nisin të dalin rezultatet e para që do të përcaktojnë të ardhmen e Hungarisë dhe balancat e reja në Europë.
