
Kryepeshkopi Joan ka përcjellë urimin e tij me rastin e Pashkës Ortodokse, duke vënë theksin te sfidat shpirtërore dhe morale me të cilat përballet shoqëria sot.
Në një postim në faqen zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepeshkopi thekson se bota po përballet me një “formë të re vdekjeje”, që lidhet me indiferencën, ngurtësimin e zemrës dhe largimin nga besimi.
“Në kohën që po jetojmë po përballemi me një formë të re vdekjeje: mpirjen e indiferencës; ngurtësimin e zemrës; tharjen shpirtërore të një shoqërie që e harroi Perëndinë…”, shprehet ai, duke theksuar se njeriu modern, ndonëse ndjek të mirat materiale, ndihet gjithnjë e më i zbrazur dhe i pasigurt.
Në mesazhin e tij, Kryepeshkopi ndalet edhe te kuptimi i Ngjalljes, duke e cilësuar atë si burimin e paqes së vërtetë dhe si dëshmi se dashuria dhe falja janë më të forta se urrejtja dhe dhuna.
Ai kujton fjalët e Krishtit “Paqe në ju”, duke theksuar se kjo paqe nuk është thjesht mungesë problemesh, por prania e Perëndisë në jetën e njeriut.
Në përfundim, Kryepeshkopi Joan u bën thirrje besimtarëve që të bëhen paqebërës në një botë të trazuar, duke nisur nga paqja e brendshme dhe duke e përhapur atë në shoqëri.
“Le ta gjejmë këtë paqe të Perëndisë në zemrat tona dhe pastaj ta përhapim atë kudo, sëbashku me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall”, përfundon ai.