Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu i kërkon IDF-së të shpjegojë më qartë tek publiku arritjet e operacionit ndaj Iranit


Kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur frustrim të hapur gjatë mbledhjes së kabinetit të sigurisë, duke pretenduar se arritjet madhore të operacionit “Luani ulëritës” kundër Iranit nuk po u shpjegohen qartë qytetarëve.

Netanyahu i ka kërkuar Shefit të Shtabit, Eyal Zamir, që të thjeshtojë gjuhën e komunikimit dhe të organizojë një prezantim më efikas të rezultateve ushtarake, pas shpalljes së armëpushimit dy-javor.

Sipas kryeministrit izraelit, operacioni ka arritur suksese që deri dje dukeshin imagjinare, duke goditur rëndë programin bërthamor, industrinë e raketave ballistike dhe infrastrukturën ekonomike të Teheranit, përcjell Ynet.

Netanyahu theksoi se Irani është sot më i dobët se kurrë, ndërsa Izraeli më i fortë, duke shtuar se janë shkatërruar jo vetëm raketat ekzistuese, por edhe fabrikat që i prodhojnë ato.

Pavarësisht toneve triumfaliste të qeverisë, liderët e opozitës kanë lëshuar akuza të rënda, duke e cilësuar armëpushimin si një katastrofë diplomatike.

Yair Lapid deklaroi se Netanyahu e çoi vendin drejt një kolapsi strategjik, duke humbur mundësinë për të rrëzuar regjimin apo për të eliminuar përfundimisht kërcënimin bërthamor. Sipas Lapid, kryeministri i mashtroi qytetarët me premtime për fitore totale, ndërkohë që Trump po bën marrëveshje mbi kokën e Izraelit.

Edhe ish-kryeministri Naftali Bennett u bashkua me kritikat, duke vënë në dukje se objektivat kryesore, si çmontimi i plotë i programit bërthamor dhe largimi i 460 kilogramëve të uraniumit të pasuruar, nuk u arritën. Bennett akuzoi qeverinë se u shiti iluzione qytetarëve, pasi Hamasi, Hezbollahu dhe Irani janë ende në këmbë.

Mbrojtja e ushtrisë

Në anën tjetër, zëdhënësi i IDF-së, Effie Defrin, mbrojti rezultatet e fushatës, duke deklaruar se ushtria i ka përmbushur dhe tejkaluar të gjitha objektivat.

Ai listoi shkatërrimin e sistemeve të komandimit, eliminimin e mijëra operativëve dhe goditjen e flotës detare iraniane si prova të suksesit.

Megjithatë, një mbledhje e posaçme pritet të mbahet javën e ardhshme mes krerëve të mbrojtjes dhe ministrit Israel Katz për të koordinuar më mirë mënyrën se si këto arritje do t’i prezantohen opinionit publik, i cili mbetet i ndarë mbi vlerën e këtij armëpushimi të përkohshëm.