Vendosni fjalën kyçe....

Trump i lë dorë të lirë Izraelit në Liban, Teherani bllokon sërish Ngushticën e Hormuzit


Vetëm pak orë pas shpalljes së armëpushimit dy-javor, Presidenti Donald Trump ka sqaruar se marrëveshja e arritur me Iranin nuk përfshin frontin e Libanit.

Trump i cilësoi sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Hezbollahut si një “përleshje të veçantë”, duke i dhënë dritën jeshile Tel Avivit për të vijuar ofensivën “Errësira e Përhershme”.

I pyetur nga gazetarët nëse Libani duhej të ishte pjesë e marrëveshjes, Trump u përgjigj prerë: “Jo, për shkak të Hezbollahut. Ata nuk u përfshinë. Edhe ajo çështje do të zgjidhet, gjithçka është në rregull.”

Ky qëndrim i Uashingtonit ka tërbuar Teheranin.

Burime zyrtare iraniane deklaruan për Al Jazeera se marrëveshja duhej të mbulonte të gjithë rajonin dhe akuzuan Izraelin për shkelje të armëpushimit përmes “krimeve në Liban”.

Agjencia “Tasnim” raportoi se Irani po përgatit masa parandaluese dhe kërcënon me tërheqje të menjëhershme nga marrëveshja nëse sulmet nuk ndalen.

Ndërkohë, si shenjë presioni, Teherani ka pezulluar sërish kalimin e cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit, duke rikthyer ankthin në tregjet botërore.

 Ndërsa diplomacia dridhet, shifrat nga terreni janë tronditëse.

Kryqi i Kuq Libanez raporton se nga vala masive e sulmeve izraelite mbi 100 objektiva, vetëm në Bejrut janë konfirmuar rreth 80 të vrarë dhe 200 të plagosur.

Spitaleve u ka mbaruar rezervat e gjakut, ndërsa media e lidhur me Hezbollahun e cilësoi operacionin si “një masakër të vërtetë”.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e quajti këtë goditjen më të rëndë që ka pësuar grupi terrorist që nga operacioni i pejerave, duke lavdëruar vendimin e kryeministrit Netanyahu për të mos lejuar bashkimin e frontit iranian me atë libanez.

 Në këtë lojë tensionesh janë përfshirë edhe rebelët Huthi nga Jemeni.

Një burim i lartë deklaroi se “dora e Jemenit mbetet në këmbëz” dhe se nuk do ta lënë Hezbollahun vetëm.

Sipas tyre, marrëveshjet e “kriminelëve” (SHBA-së) janë vetëm bojë mbi letër.

Me bllokimin e serishëm të Hormuzit dhe kërcënimet për hakmarrje nga Garda Revolucionare, armëpushimi që u cilësua si “ditë e madhe për paqen” po shkon drejt një kolapsi të parakohshëm.

Kabineti i Sigurisë në Izrael pritet të mblidhet urgjentisht këtë mbrëmje për të diskutuar hapat e mëtejshëm.