
Mohammad Baqer Qalibaf, kreu i parlamentit iranian, ka marrë një rol qendror ndërkohë që sulmet izraelite dhe amerikane po eliminojnë udhëheqjen e vendit. Ai do jetë një lojtar kyç në çdo negociatë për të konsoliduar dhe zgjatur armëpushimin e së mërkurës.
Burime pakistaneze bëjnë me dije se do jetë Qalibaf, së bashku me ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, ai që do udhëtojë drejt Islamabadit – i cili i kishte kërkuar Uashingtonit t’i hiqte ata nga çdo listë goditjeje e mundshme e SHBA-së ose Izraelit – për të udhëhequr negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Me pak figura të shquara të mbetura pas një fushate të bashkërenduar vrasjesh, ish-komandanti i Gardës Revolucionare, ish-kryebashkiaku i Teheranit, ish-shefi i policisë kombëtare dhe kandidati për president, është tani një nyje kyçe lidhëse mes elitave politike, të sigurisë dhe atyre klerikale.
Më shumë se pesë javë pas fillimit të sulmit ndaj Iranit me vrasjen e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqja në Teheran po shfaqet e dërrmuar, por ende në këmbë, pas një fushate rrënuese për t’u mbijetuar sulmuesve të saj.
Qalibaf: Kombinim i retorikës së ashpër me pragmatizmin
Qalibaf, i parë prej kohësh si një i parapëlqyer i Ali Khameneit dhe besnik i djalit të tij, Mojtaba, i cili ka pasuar pozicionin e liderit suprem, ka qenë një zë udhëheqës i sfidës kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, duke u zotuar për hakmarrje.
Duke iu drejtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas vrasjes së Khameneit, ai premtoi “goditje aq shkatërruese sa do lypni mëshirë”.
“U them këtyre dy kriminelëve të flliqur dhe agjentëve të tyre: ju keni shkelur vijën tonë të kuqe dhe do të paguani për këtë,” deklaroi ai në një fjalim televiziv.
Kjo retorikë pasqyron qëndrimin e tij të hershëm si një dishepull i rreptë i sistemit teokratik të qeverisjes në Iran, qëndrim të cilin e ka shfaqur edhe përmes shtypjes së revoltës së brendshme.
Megjithatë, pavarësisht këtij profili të ashpër, Qalibaf ka krijuar edhe reputacionin e një modernizuesi dhe pragmatisti. Gjatë garës presidenciale të vitit 2005, ai pozoi me uniformën e tij të pilotit ushtarak në reklamat e fushatës për të përforcuar imazhin e tij si profesionist.
Aftësia për të komunikuar efektivisht si me anëtarët e Gardës Revolucionare, ashtu edhe me udhëheqjen klerikale, mund të ketë ndihmuar në pozicionimin e tij si kandidat për bisedimet me Uashingtonin ndërkohë që konflikti vijonte.
I lindur në qytetin verilindor të Torqabeh në vitin 1961, Qalibaf u formua pjesërisht nga ligjëratat që ndiqte në xhami si adoleshent, teksa Revolucioni Islamik i vitit 1979 po merrte hov. Kur Iraku pushtoi Iranin muaj pas përmbysjes së Shahut, ai iu bashkua Gardës Revolucionare, duke u bërë gjeneral brenda tre viteve.
Përpjekjet e përsëritura për t’u bërë President
Duke ndjekur karrierën në Gardë pas përfundimit të luftës, ai u kualifikua si pilot ushtarak dhe përfundimisht u bë kreu i njësisë së forcave ajrore të Gardës. Gjatë kohës që ishte në Gardë, mori pjesë në shtypjen e përgjakshme të studentëve në vitin 1999 dhe iu bashkua komandantëve të tjerë në nënshkrimin e një letre drejtuar presidentit reformator, Mohammad Khatami, duke e kërcënuar me përmbysje nëse nuk ndalte protestat.
Khamenei, i gjendur mes pakënaqësisë në rritje brenda vendit dhe presionit të huaj mbi programin bërthamor, iu drejtua gjithnjë e më shumë “skifterëve” të sigurisë si Qalibaf. Si shef policie, ai u tregua i pamëshirshëm, duke urdhëruar forcat e tij të qëllonin mbi protestuesit në vitin 2002.
Ai kandidoi për president në vitet 2005, 2013 dhe 2024, ndërsa u tërhoq nga gara e vitit 2017 për të mos përçarë votën e krahut të ashpër. Ai zëvendësoi Mahmoud Ahmadinejad si kryebashkiak i Teheranit, post të cilin e mbajti për 12 vjet, duke marrë meritat për shtypjen e trazirave të vitit 2009.
Ai u rikthye në politikën kombëtare duke u zgjedhur në parlament dhe duke u emëruar kryetar i tij në vitin 2020, duke siguruar kështu një nga postet më të larta të Iranit, shkruan Reuters.