Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu kërkon interpelancë urgjente me ministrin e Mbrojtjes për “KAYO”


Deputeti Klevis Balliu, së bashku me deputet Flamur Noka, Isuf Çelaj, Jorida Tabaku, Bledion Nallbati, Elda Hoti, Ledina Aliolli, Gazment Bardhi, ka kërkuar interpelancë urgjente në Kuvend me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, lidhur me funksionimin e kompanisë shtetërore KAYO sh.a..

Kërkesa ngre shqetësime për transparencën, mënyrën e krijimit dhe marrëdhëniet e kësaj shoqërie me partnerë privatë në industrinë ushtarake. Sipas deputetëve, vendimet e qeverisë gjatë vitit 2025 kanë lejuar që “KAYO” të hyjë në bashkëpunime ku shpesh mban pjesë minoritare, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin shtetëror dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në fokus janë edhe disa kompani të përbashkëta, përfshirë TIMAK Defence, si dhe përfshirja e biznesmenit izraelit Ron Yeffet, për të cilin kërkohen verifikime mbi rolin dhe lidhjet e tij. Po ashtu, opozita kërkon sqarime për marrëdhëniet me kompaninë izraelite Elbit Systems dhe për një marrëveshje të mundshme që përfshin furnizime ushtarake dhe investime, për të cilat mungon transparenca mbi vlerën dhe financimin.

Në total, janë ngritur 22 pyetje që lidhen me rolin e ministrit, përzgjedhjen e partnerëve, procedurat kontraktuale, kontrollin parlamentar dhe rreziqet për sigurinë kombëtare.

Deputetët theksojnë se, për shkak të ndjeshmërisë së sektorit të mbrojtjes dhe implikimeve financiare e të sigurisë, është i domosdoshëm një sqarim i plotë publik nga Ministria e Mbrojtjes në Kuvend.

Kërkesa e plotë

Ligji nr. 88/2024 “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake” krijoi shoqërinë shtetërore “KAYO” sh.a. si instrument të ri shtetëror në sektorin e industrisë së mbrojtjes. Ky ligj parashikon ngritjen e një strukture shtetërore me rol në prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Nga të dhënat publike të regjistrit tregtar rezulton se “KAYO” sh.a. është shoqëri aktive, me aksionar të vetëm shtetin shqiptar, të përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa në organet e saj drejtuese figurojnë, ndër të tjerë, edhe z. Ermal Nufi, si anëtar bordi, i cili sot mban detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Kjo e bën të domosdoshme që ai të japë shpjegime publike para Kuvendit mbi çështje që lidhen me krijimin, funksionimin, mbikëqyrjen dhe marrëdhëniet kontraktuale të kësaj shoqërie.

Dokumentet publike tregojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë miratuar disa vendime të Këshillit të Ministrave që i kanë hapur rrugë “KAYO” sh.a. të negociojë dhe të hyjë në struktura të përbashkëta me subjekte private në fusha të ndryshme të industrisë së mbrojtjes. Në një nga vendimet e para, në VKM nr. 291, datë 28.05.2025, parashikohet që “KAYO” sh.a. të negociojë dhe të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40% të aksioneve në shoqëritë e përbashkëta.

Në vendimet e tjera të mëvonshme të vitit 2025 të Këshillit të Ministrave janëpërcaktuar kushte të mëtejshme negocimi për fusha të tjera të prodhimit ushtarak, përfshirë uljen e përqindjes së “KAYO”sh.a. në sipërmarrjet e përbashkëta në 20%. Këto zhvillime ngrenë pyetje legjitime mbi kriteret e përzgjedhjes së partnerëve, garancitë për mbrojtjen e interesit shtetëror, si dhe nivelin real të kontrollit publik mbi këto struktura, për sa kohë kompania publike ka më pak se 50% të aksioneve.

Nga të dhënat publike rezulton se në kuadër të këtij procesi janë krijuar struktura të përbashkëta me partnerë privatë, ku në disa raste pjesëmarrja e “KAYO” sh.a. është minoritare. Më konkretisht, një nga kompanitë e krijuara mes kompanisë publike “KAYO” sh.a., e cila zotëron 20% dhe “TIMAK”, që zotëron 80%, është “TIMAK DEFENCE”. Për “TIMAK”, pika më e dyshimtë që ngrihet nga këto raportime është fakti se më 17 qershor 2025 u shitën 49% e aksioneve për vetëm 490 eurote shtetasi izraelit Ron Yeffet, dhe pak javë më pas u krijua “TIMAK Defence”. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi vlerën reale të transaksionit, kohën e tij dhe nëse hyrja e Ron Yeffetka shërbyer si urë për futjen e tij në biznesin e mjeteve të ushtrisë. Gjithashtu dhe në kompanitë “M.K.D” dhe “ADVANCED ARMS TECHNOLOGY”, “KAYO” sh.a. zotëron vetëm 20% të aksioneve, ndërsa 80% i kanë respektivisht “MSSC” dhe “UNO18”, ku te kjo e fundit sërish Ron Yeffet rezulton pronar. Në kompaninë “GUNA TACTICAL”, “KAYO” sh.a. zotëron 51%, ndërsa “MSSC” 49%. Sipas të dhënave të dala në media, nga buxheti i shtetit janë kaluar të paktën dy pagesa në vlerë 10.5 milionë euro drejt “Timak Defence” deri në dhjetor 2025.

Vetë ekzistenca e këtyre strukturave nuk provon automatikisht paligjshmëri, por për shkak të natyrës jashtëzakonisht të ndjeshme të sektorit të mbrojtjes, përdorimit të mundshëm të aseteve publike dhe implikimeve të sigurisë kombëtare,veçanërisht me raportimet mbi individët e përfshirë, kontrolli parlamentar dhe sqarimi publik bëhen të domosdoshëm.

Në të njëjtën kohë, konteksti ndërkombëtar e bën edhe më të rëndësishme këtë çështje. Më 15 maj 2025, Eurojust deklaroi publikisht se, me kërkesë të autoriteteve belge, ka koordinuar mbështetje gjyqësore ndërkufitare për hetime mbi korrupsionin e pretenduar në blerjen e pajisjeve ushtarake për NATO, përmes punonjësve aktualë dhe ish-punonjësve të Agjencisë së NATO për Mbështetjen dhe Prokurimin (NSPA).

Sipas raportimeve mediatike dhe investigative, çështja e kompanisë “Elbit Systems” ngre pikëpyetje serioze me interes publik për Shqipërinë, pasi bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me këtë kompani është raportuar të ketë vijuar edhe pasi, sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative ndërkombëtare, “Elbit Systems” ishte pezulluar nga NSPA, agjencia e prokurimit të NATO-s, në kuadër të dyshimeve për praktika korruptive në dhënien e kontratave ushtarake. Në të njëjtën kohë, raportimet mediatike kanë bërë publike se marrëveshja me “Elbit Systems” parashikon furnizimin e Shqipërisë me sisteme artilerie dhe dronë, si edhe bashkëpunim me KAYO sh.a. për ngritjen e kapaciteteve prodhuese vendase, ndërsa vlera e plotë e kontratës dhe burimet e financimit nuk janë bërë transparente. Media Kapitali raportonte se personi që ka ndihmuar në finalizimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë izraelite ka qenë biznesmeni kontrovers izraelit me nënshtetësi shqiptare Ron Yeffet, i raportuar nga mediat dhe në shoqëri të kryeministrit.

Ka paqartësi në lidhje me mënyrën e funksionimit të kompanisë izraelite. Mediat raportojnë se kompania do të financohet nëpërmjet bankave dhe Shqipëria do të garantojë kredinë me garanci sovrane, duke marrë përsipër shlyerjen e saj duke përfshirë dhe interesat. Fatura e plotë e këtij veprimi mbetet e pa sqaruar për taksapaguesit. Disa burime e çojnë atë në rendin e miliardit të eurove. Kjo e bën të domosdoshme që Ministria e Mbrojtjes të sqarojë para Kuvendit natyrën e saktë të marrëdhënies me “Elbit Systems”, momentin e nënshkrimit, gjendjen aktuale të kontratës, detyrimet dhe masat e marra për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe reputacionit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

Njoftimi i Kryeministrisë për vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave tregojnë gjithashtu se më 16 korrik 2025 Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin nr.1085, datë 24.12.2020, për rregullat e lidhjes së kontratave në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Këto ndryshime kanë zgjeruar fushën e veprimit të këtij regjimi duke përfshirë edhe ‘shërbimet’, duke e shtrirë atë edhe ndaj vendeve partnere të Republikës së Shqipërisë dhe/ose NATO-s apo agjencive të tyre, si dhe duke parashikuar shprehimisht përfshirjen e strukturave të varësisë apo të shoqërive aksionare shtetërore të autorizuara nga Ministria e Mbrojtjes, që ushtrojnë veprimtari në fushën e industrisë ushtarake.

Edhe më domethënës është fakti se, sipas këtyre ndryshimeve, Ministria e Mbrojtjes mund të blejë drejtpërdrejt nga një shoqëri aksionare me kapital shtetëror kur ajo disponon të paktën 50% të kapaciteteve të nevojshme ose shumicën e kapitalit të subjektit të krijuar për këtë qëllim; por edhe kur kjo shoqëri disponon më pak se 50% të kapaciteteve ose nuk zotëron shumicën e kapitalit, Ministria mund ta autorizojë përsëri për realizimin e objektit të kontratës, me miratimin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë. Kjo ngre drejtpërdrejt pyetjen nëse ndryshimet nënligjore të korrikut 2025 janë ndërtuar pikërisht për t’i hapur rrugë një modeli ku kompania shtetërore ruan emrin dhe mbulesën institucionale, por jo kontrollin real mbi subjektin përfitues.

Ndërkohë, më 10 shtator 2025 Këshilli i Ministrave ka miratuar, në parim, marrëveshjen kuadër ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes e Shtetit të Izraelit, në lidhje me kapacitetet mbrojtëse. Ky fakt e shton nevojën për transparencë të plotë parlamentare mbi përmbajtjen, objektin, implikimet financiare, partnerët zbatues dhe lidhjen konkrete të kësaj marrëveshjeje me veprimtarinë e KAYO sh.a., të strukturave të lidhura me të dhe të bashkëpunimit me kompani izraelite të përfshira në këtë sektor.

 Në këto kushte, duke pasur parasysh se:

* “KAYO” sh.a. është krijuar me ligj si shoqëri shtetërore në sektorin e mbrojtjes;

* Nga të dhënat publike rezulton se kjo shoqëri ka hyrë në marrëdhënie të përbashkëta me partnerë privatë në fusha të ndjeshme të industrisë ushtarake;

* Vendime të Këshillit të Ministrave gjatë vitit 2025 kanë përcaktuar kushte negocimi dhe pjesëmarrjeje të shtetit në këto struktura;

* Ministri aktual i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, rezulton gjithashtu në organet drejtuese/mbikëqyrëse të “KAYO” sh.a.;

* Ekziston interes i lartë publik për mënyrën e funksionimit, kontrollit dhe llogaridhënies së kësaj shoqërie shtetërore;

* Konteksti ndërkombëtar në fushën e prokurimeve ushtarake kërkon transparencë dhe kujdes të shtuar institucional, veçanërisht në kuadër të NATO, dhe duke pasur parasysh kontekstin gjeopolitik në të cilin ndodhemi dhe rreziqet përkatëse;

 lindin disa pyetje që kërkojnë shpjegime nga ana e Ministrit të Mbrojtjes:

 * Cili ka qenë roli konkret i z. Ermal Nufi në krijimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin strategjik të “KAYO” sh.a., duke qenë se ai rezulton si ministër aktual i Mbrojtjes dhe si pjesë e organeve drejtuese/mbikëqyrëse të kësaj shoqërie?

* Cilat ishin kriteret konkrete profesionale, ekonomike dhe strategjike mbi bazën e të cilave u konceptua dhe u ngrit “KAYO” sh.a.?

* Cilat janë objektivat konkrete, rezultatet e deritanishme dhe treguesit e performancës së “KAYO” sh.a. që prej krijimit të saj?

* Si ka mundësi që për një kompani shtetërore të një rëndësie të tillë strategjike, nuk kishte asnjë linjë në Buxhetin e Shtetit për vitin fiskal 2026, dhe as për strategjinë afatmesme të Qeverisë?

* Cilat janë arsyet konkrete ekonomike, juridike dhe strategjike që kanë udhëhequr qeverinë në përcaktimin e pragjeve të pjesëmarrjes së “KAYO” sh.a. në shoqëritë e përbashkëta me partnerë privatë?

* A është hartuar ndonjë analizë e shkruar financiare, juridike apo e sigurisë kombëtare përpara miratimit të këtyre vendimeve dhe a është vënë ajo në dispozicion të Kuvendit?

* Cilat kanë qenë kriteret e përzgjedhjes së partnerëve privatë me të cilët “KAYO” sh.a. ka hyrë në marrëdhënie bashkëpunimi apo shoqëri të përbashkëta?

* A është kryer ndonjë procedurë e plotë “due diligence”ligjore, financiare, teknike dhe reputacionale për partnerët privatë që janë përfshirë në këto struktura?

* Cili është niveli real i kontrollit të shtetit shqiptar në këto struktura, kur në tre nga katër raste pjesëmarrja e “KAYO” sh.a. rezulton minoritare?

* Mbi çfarë baze ligjore janë justifikuar procedurat e drejtpërdrejta ose jo-konkurruese në marrëdhëniet kontraktuale të “KAYO” sh.a. dhe strukturave të lidhura me të?

* Cili institucion ka vendosur klasifikimin apo kufizimin e aksesit mbi dokumente të caktuara që lidhen me veprimtarinë e “KAYO” sh.a., dhe mbi çfarë baze ligjore është bërë ky klasifikim?

* A ka pasur Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare akses të plotë në informacionin thelbësor mbi veprimtarinë, kontratat, strukturën e pronësisë dhe përdorimin e aseteve publike nga “KAYO” sh.a.?

* Sa raporte i janë paraqitur Kuvendit ose Komisionit të Sigurisë Kombëtare nga “KAYO” sh.a. që prej krijimit të saj?

* A është kryer ndonjë auditim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose ndonjë formë tjetër auditimi publik mbi fondet, asetet dhe veprimtarinë e “KAYO” sh.a.?

* Duke pasur parasysh deklaratën publike të Eurojust mbi hetimet ndërkufitare për korrupsion të pretenduar në blerje pajisjesh ushtarake për NATO, çfarë masash ka marrë Ministria e Mbrojtjes për të garantuar që çdo marrëdhënie kontraktuale ose bashkëpunim i lidhur me industrinë e mbrojtjes të përmbushë standardet më të larta të integritetit dhe transparencës?

* A është kryer ndonjë verifikim i plotë institucional, ligjor, financiar dhe reputacional për Ron Yeffet, lidhjet e tij me afera të raportuara në vende të tjera të botës, si në Senegal,dhe subjektet e lidhura me të përpara se ato të përfshiheshin, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në struktura të lidhura me KAYO-n, dhe cilat kanë qenë përfundimet konkrete të këtij verifikimi?

* A ka kryer Ministria e Mbrojtjes, apo ndonjë institucion tjetër shtetëror kompetent, ndonjë verifikim të plotë ligjor, financiar, reputacional dhe të sigurisë kombëtare mbi lidhjet e Ron Yeffet me shtetasin rus David Ghubalashvili, mbi kompanitë “1820 Black Oil” sh.pk dhe “1820 Albania” sh.pk, mbi natyrën reale të veprimtarisë së tyre në Shqipëri, si dhe mbi pretendimet se këto subjekte janë trajtuar si struktura të lidhura me sigurinë kombëtare, megjithëse rezultojnë me aktivitet në sektorë jashtëzakonisht të ndjeshëm si karburantet, të dhënat personale, rrjetet e komunikimit dhe transaksionet elektronike, dhe a kanë përfituar trajtim të veçantë fiskal këto kompani?

* Si justifikohet që një person i përfshirë në struktura të lidhura me industrinë ushtarake shqiptare të rezultojë njëkohësisht në ortakëri biznesi me një shtetas rus në kompani që operojnë në fusha kaq të ndjeshme, dhe a e konsideron Ministria këtë një risk serioz për sigurinë kombëtare?

* A ishte Ministria e Mbrojtjes në dijeni të pezullimit të Elbit Systems nga NSPA, sipas dokumenteve të publikuara nga media investigative ndërkombëtare, në momentin e vijimit ose lidhjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit me këtë kompani, dhe nëse po, pse nuk u pezullua ose rivlerësua menjëherë kjo marrëdhënie?

* A është informuar ndonjëherë Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të plotë mbi përmbajtjen, objektin, implikimet financiare dhe mekanizmat e zbatimit të marrëveshjes kuadër të miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave më 16 korrik 2025 ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shtetit të Izraelit në lidhje me kapacitetet mbrojtëse, dhe cila është lidhja konkrete e kësaj marrëveshjeje me KAYO sh.a., partnerët e saj privatë dhe marrëdhëniet e raportuara me Elbit Systems?

* A janë miratuar ndryshimet e 16 korrikut 2025 në vendimin nr.1085/2020 pikërisht për të krijuar bazën nënligjore që Ministria e Mbrojtjes të mund të autorizojë dhe të përdorë KAYO sh.a. ose subjektet e krijuara nëpërmjet saj si kanal furnizimi për Forcat e Armatosura edhe në rastet kur KAYO nuk zotëron shumicën e kapitalit apo të kapaciteteve në këto struktura?

* Cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për të garantuar që “KAYO” sh.a. dhe çdo strukturë e lidhur me të të jenë subjekt i një standardi të lartë llogaridhënieje dhe kontrolli parlamentar?

 Për këtë arsye, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me sa më lart, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, 7 deputetët e PD kanë kërkuar zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Mbrojtjes, z. Ermal Nufi, lidhur me krijimin, funksionimin, mbikëqyrjen, marrëdhëniet kontraktuale dhe standardet e transparencës e llogaridhënies të shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a. dhe strukturave të lidhura me të.