Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar këtë të mërkurë, ka kërkuar një reformë rrënjësore në sistemin fiskal të karburanteve në Shqipëri.
Berisha e cilësoi barrën aktuale mbi naftën si një “ndëshkim” për qytetarët, duke theksuar se kostoja e lartë po godet zinxhirin e ushqimeve dhe transportit.
Në nisje të fjalës së tij, kreu i demokratëve përshëndeti arritjen e armëpushimit 2-javor në Gjirin Persik midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, pas ndërmjetësimit të Pakistanit.
“Urojmë që ky armëpushim të shndërrohet në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme. Megjithatë, pasojat e bllokimit të Ngushticës së Hormuzit dhe goditja e impianteve kërkojnë javë e muaj që të normalizohen,” — u shpreh Berisha, duke lidhur situatën gjeopolitike me rritjen e çmimeve në tregun vendas.
Sipas Berishës, sistemi aktual i taksimit mbi litrën e naftës është i padrejtë dhe i paprecedentë në krahasim me vendet e rajonit dhe ato të zhvilluara. Ai bëri një krahasim të fortë mes fuqisë blerëse të shqiptarëve dhe gjermanëve.
“Nëse një gjerman shpenzon për naftën 1.12% të të ardhurave ditore, një shqiptar shpenzon 7.3%, pra 6 herë më shumë. Si mund të justifikohesh kur vendos taksën më të lartë se Singapori?” — akuzoi lideri i opozitës.
Berisha paralajmëroi pasoja të rënda për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke vënë re se tokat po mbeten djerrë dhe blegtoria po shkon drejt shfarosjes për shkak të kostove të papërballueshme të ushqimit dhe mekanikës bujqësore.
“Tokat djerrë po shtohen, bagëtitë theren se ushqimi i tyre rritet. Të gjitha këto sirena që bien, injorohen në mënyrën më të papërgjegjshme nga Rama. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ndjekur rrugë tjetër, ndërsa këtu ka vetëm mashtrime,” — përfundoi Berisha, duke kërkuar që Grupi Parlamentar i PD-së të nisë betejën për përmbysjen e sistemit aktual fiskal të karburanteve.
