Vendosni fjalën kyçe....

Shuhet legjenda e futbollit rumun Mircea Lucescu


Mircea Lucescu, një nga figurat më të mëdha të futbollit rumun, i njohur për fitimin e shumë trofeve si lojtar dhe trajner, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Vdekja e Lucescut u konfirmua të martën nga spitali kryesor në Bukuresht. Ai ishte shtruar në spital pasi thuhet se kishte pësuar një atak në zemër të premten në mëngjes.

“Mircea Lucescu ishte një nga trajnerët dhe lojtarët më të suksesshëm të futbollit rumun, i pari që kualifikoi ekipin kombëtar të Rumanisë në një Kampionat Evropian, në vitin 1984,” thuhet në deklaratën e spitalit.

“Breza të tërë rumunësh u rritën me imazhin e tij në zemrat e tyre, si një simbol kombëtar.”

Lucescu pati një karrierë shumë të gjatë si trajner dhe ishte në kontratën e tij të dytë me kombëtaren rumune deri sa dha dorëheqjen të enjten e kaluar pasi u sëmur gjatë stërvitjes. Tre ditë më herët, Rumania kishte humbur mundësinë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës pasi u mposht nga Turqia në një ndeshje play-off.

Si lojtar, Lucescu ishte kapiten i kombëtares së vendit të tij në Kupën e Botës 1970. Gjatë karrierës së tij si trajner, që e çoi në shumë vende të Evropës, ai udhëhoqi Rumaninë drejt Kampionatit Evropian dhe drejtoi disa klube duke fituar tituj të shumtë.

Ai u rikthye për të drejtuar Rumaninë pas një ndërprerjeje prej 38 vitesh, me synimin për ta kualifikuar ekipin në Kupën e Botës, shkruan AP.