
Përjashtimi disa javor i deputetëve Flamur Noka dhe Elda Hoti nga punimet e Kuvendit është cilësuar nga opozita si një vendim politik, që sipas saj nuk lidhet me etikën apo rregulloren parlamentare. Sipas kreut të grupit parlamentar Bardshi, mazhoranca krijoi qëllimisht tension gjatë seancës së 2 prillit, duke dëmtuar besueshmërinë dhe imazhin e Parlamentit.
Ai thekson se këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të kufizuar rolin e saj në Kuvend. Sipas të dhënave të paraqitura, gjatë gjashtë muajve të fundit janë përjashtuar 15 deputetë opozitarë, me një total prej 295 ditësh pezullim, çka konsiderohet si ngushtim i hapësirës së veprimit të opozitës.
Në deklaratë përmenden edhe refuzimi i kërkesave për komisione hetimore, mospranimi i interpelancave me kryeministrin dhe vonesat në llogaridhënien e ministrave, të cilat sipas opozitës synojnë të dobësojnë funksionin e saj për kontrollin e pushtetit.
Opozita shprehet se, pavarësisht situatës që e cilëson si presion politik dhe klimë armiqësore, do të vazhdojë qëndrimin e saj përballë qeverisë.
“OPOZITA NË SHËNJESTËR! Përjashtimi disajavor i deputetëve Flamur Noka dhe Elda Hoti nga punimet e Parlamentit është një vendim që nuk ka lidhje as me etikën, as me rregulloren. Është thjesht një akt armiqësor ndaj opozitës. Të gjithë janë dëshmitarë se, veçanërisht në seancën e 2 prillit, mazhoranca krijoi qëllimisht një klimë tensioni, që vetëm sa dëmton më tej besueshmërinë dhe reputacionin e parlamentit.
Armiqësia ndaj opozitës nuk është rastësi. Është strategji politike, që nuk fokusohet vetëm tek dy emra, por tek objektivi për ta bërë opozitën të heshtë. Në 6 muajt e fundit PS ka përjashtuar 15 deputetë të opozitës nga Kuvendi, me 295 ditë në total. Një jpraktikë që, haptazi, po ngushton çdo ditë hapësirën e opozitës në Kuvend
Mazhoranca nuk po përpiqet më as të duket sikur respekton rregullat. Ajo reflekton hapur qëndrimin armiqësor të kryeministrit kundër opozitës.
Përjashtimet e deputetëve, refuzimi i kërkesave për komisione hetimore, refuzimi i interpelancave nga kryeministri, zvarritja e llogaridhënies së ministrave dhe refuzimi i institucioneve për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës kanë vetëm një objektiv: të zhbëjnë rolin kryesor të opozitës: kontrollin e pushtetit.
Kur pushteti sundon përmes korrupsionit dhe në aleancë me krimin e organizuar, kur qeveria mbron të kërkuarit nga drejtësia, kur kryeministri shndërrohet në zëdhënës të tyre, opozita ka vetëm një rrugë: të qëndrojë.” – shkruan Bardhi.