Vendosni fjalën kyçe....

Brazili fut gjigantin kinez BYD në “listën e zezë” për kushte skllavëruese ndaj punëtorëve


Qeveria e Brazilit ka ndërmarrë një hap drastik ndaj gjigantit kinez të makinave elektrike, BYD, duke e përfshirë në regjistrin zyrtar të punëdhënësve që u kanë nënshtruar punonjësve kushte të ngjashme me skllavërinë.

Vendimi vjen pas një skandali të vitit 2024, ku u zbulua se 163 punëtorë kinezë ishin viktima të trafikimit të njerëzve dhe kontratave abuzive gjatë ndërtimit të fabrikës në shtetin e Bahias.

Përfshirja në këtë “listë të zezë” mbart rreziqe të mëdha reputacioni për BYD në Brazil, që është tregu i saj më i madh jashtë Kinës.

Gjithashtu, masa ligjore i bllokon kompanisë marrjen e kredive të caktuara nga bankat braziliane, edhe pse nuk do të ndalojë operimin e fabrikës që tashmë ka prodhuar mbi 25,000 automjete.

“Punëtorët kinezë detyroheshin të dorëzonin pasaportat e tyre, ndërsa shumica e pagës u dërgohej direkt në Kinë. Ata jetonin të grumbulluar në banesa pa dyshekë, ku 31 persona ndanin vetëm një tualet,” — thuhet në raportin e inspektorëve të punës.

Inspektorët e përshkruan situatën si “kushte degraduese”, ku ushqimi mbahej në tokë bashkë me sendet personale. Ndonëse kompania kontraktore “Jinjiang Group” i ka mohuar akuzat dhe BYD është shprehur se nuk kishte dijeni për shkeljet deri në momentin e raportimeve në media, autoritetet braziliane insistojnë se BYD është përgjegjësja fundore për mbikëqyrjen e kushteve të punës.

Skandali shkaktoi zemërim ndërkombëtar, përfshirë edhe në Kinë, dhe solli vonesa disamujore në ndërtimin e fabrikës.

Megjithatë, dukej se BYD e kishte hedhur pas krahëve këtë krizë kur Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva mori pjesë në inaugurimin e fabrikës tetorin e kaluar, si shenjë e forcimit të lidhjeve mes Brazilit dhe Kinës.

Tashmë, kompania kineze ka mundësinë të dalë nga kjo listë vetëm nëse nënshkruan një marrëveshje me qeverinë, duke u zotuar për ndryshimin e praktikave dhe dëmshpërblimin e plotë të punëtorëve të abuzuar.