Vendosni fjalën kyçe....

Anulohet tenderi për portin e ri në Porto Romano


Tenderi për ndërtimin e Portit të Ri tregtar në Porto Romano është anulluar, njoftoi Agjencia e Prokurimeve Publike. Arsyeja e anulimit është mungesa e ofertës financiare nga kompania e vetme që mbeti në garë, Achirodon.

Porti i ri, që parashikohej të ndërtohej në dy faza, do të kishte një thellësi më të madhe të ujërave krahasuar me Portin e Durrësit, duke mundësuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe përpunimin e një ngarkese më të madhe.

Në fazën e parë, kapaciteti i tij pritej të arrinte 500 mijë kontejnerë, krahasuar me rreth 180 mijë që përpunohen aktualisht në portin ekzistues.

Tenderi, me një vlerë prej 393 milionë euro pa TVSH, ka dështuar disa herë më parë. Në garën e dhjetorit 2024 morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm njëra kaloi në fazën finale për ofertë teknike dhe ekonomike.

Një nga kandidatët depozitoi kallzim në Prokurorinë e Posaçme,  shkruan Shqiptarja, ndërsa dy javë më parë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan dokumentacionin e garës nga zyrat e Autoritetit Portual Durrës.