
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për rritjen e papërballueshme të çmimeve në Shqipëri, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me modelin ekonomik dhe vendimmarrjen qeveritare.
Në një reagim publik, Tabaku thekson se familjet shqiptare po përballen çdo muaj me një realitet gjithnjë e më të vështirë, ku shpenzimet rriten ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta. Sipas saj, raporti mes çmimeve dhe të ardhurave është thellësisht i pabarabartë: çmimet në Shqipëri kanë arritur rreth 60% të nivelit të Bashkimit Europian, ndërsa të ardhurat mbeten në vetëm 20% të tyre.
Tabaku argumenton se kjo situatë nuk është produkt i tregut të lirë, por i deformimit të tij. Ajo evidenton se në sektorë kyç si produktet e shportës dhe karburantet, mungesa e konkurrencës reale ka krijuar struktura oligopoliste, ku çmimet përcaktohen nga aktorë të fuqishëm ekonomikë dhe jo nga rregullat e tregut.
Një tjetër faktor që rëndon mbi çmimet, sipas saj, janë taksat e larta dhe të komplikuara, të cilat transferohen drejtpërdrejt te konsumatori. Nga karburanti te ushqimet bazë, barra fiskale, sipas Tabakut, ka bërë që kostoja e jetesës të rritet në mënyrë të ndjeshme për qytetarët.
Në thelb të problemit, deputetja identifikon modelin ekonomik aktual, të cilin e cilëson si të shteruar dhe të varur nga shpenzimet publike, pa mbështetje reale për prodhimin dhe investimin privat.
“Çmimet e larta nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që nuk funksionon për shumicën,” thekson Tabaku, duke shtuar se ndryshimi i kësaj situate kërkon ndryshim të vetë qeverisjes.