Vendosni fjalën kyçe....

“Rama e të tijtë po përgatisnin një intrigë ndaj meje, siguruam provat me vulë” – Meta publikon dëshminë e ish-zyrtarit të CEZ


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka publikuar dëshminë e dhënë nga Jzef Hejsek, një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë çeke CEZ, dhënë prokurorisë shqiptare.

Meta shkruan se e ka shtënë në dorë provën, edhe pse ajo është fshehur nga prokurorët e SPAK-ut ndërsa thekson se të gjitha materialet e dosjes CEZ-DIA i janë vënë në dispozicion në kohën kur është njoftuar se Edi Rama dhe të tijët po përgatisnin një intrigë ndaj Metës.

Kreu i PL-së nënvizon se në dëshmi nuk përmenden as Sali Berisha, as Ilir Meta dhe as Qazim Tepshi.

Reagimi i Metës

“Për transparencë të plotë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, po publikoj sot të plotë dëshminë e Z. Josef Hejsek dhënë më 20 dhjetor 2011 para prokurorit nën betim, e vetmja dëshmi ku ai flet për DIA-n, përpara një organi të procedurës penale.

Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore.

Siç e shihni, ne e kemi me vulë të OSHEE, jo vetëm këtë dëshmi por edhe të gjitha materialet që kanë të bëjnë me çështjen CEZ-DIA sepse një zyrtar i dikurshëm i ndershëm i OSHEE na i vuri në dispozicion, fill pasi kishte dëgjuar që Edi Rama me të tijët po përgatisnin një intrigë për të përfshirë Ilir Metën te kjo aferë, siç u paralajmërua edhe në letrën zyrtare të ish-Kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Z. Spartak Braho më 27 shtator 2015.

Siç e shihni, këtu jo vetëm që nuk përmendet Ilir Meta por as Qazim Tepshi ish-ambasador, as Sali Berisha ish-Kryeministër, dhe askush tjetër.

Këtu tregohet se, jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliard dollarë për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki.

Po kështu, po publikoj të plotë dëshminë e dhënë nga Z. Tomas Pleskaç i cili ka qenë shefi i Z. Hejsjek në Pragë, ku është marrë vendimi për lidhjen e kontratës CEZ-DIA dhe ku do të shikoni përgjigjen e tij me letërporosi dhënë SPAK-ut, në të cilën konfirmon se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë lidhje mes tre personave, Ilir Metës, Qazim Tepshit dhe Kastriot Ismailaj.

Herën tjetër, do t’ju njohim me prova të reja që tregojnë se DIA ishte një krijesë amerikane dhe as ka patur dhe as mund të kishte lidhje me Ilir Metën.”