Italia ka vendosur të shtyjë mbylljen përfundimtare të centraleve me qymyr deri në vitin 2038, 13 vite më vonë nga afati i parashikuar fillimisht, përcjell Euronews.
Vendimi është përfshirë në projektligjin më të fundit për energjinë, i miratuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, si pjesë e masave për përballimin e krizës energjetike të shkaktuar nga lufta me Iranin.
Sipas autoriteteve, katër centralet me qymyr që aktualisht janë në gatishmëri mund të riaktivizohen në rast se përkeqësohen furnizimet me gaz dhe naftë. Ministri i Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin, ka theksuar se kjo është një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë energjetike.
Qeveria italiane e konsideron shtyrjen si një hap të domosdoshëm. Ministri për Çështjet Evropiane, Tommaso Foti, u shpreh se “të gjitha burimet e energjisë duhet të shfrytëzohen maksimalisht në këtë fazë”.
Megjithatë, vendimi ka hasur kritika nga grupet mjedisore dhe opozita. Kreu i partisë së gjelbër Angelo Bonelli e cilësoi këtë hap si një “neglizhencë ndaj klimës”.
Edhe vende të tjera evropiane po shqyrtojnë masa të ngjashme. Gjermania ka sinjalizuar se mund të ngadalësojë mbylljen e centraleve me qymyr për të garantuar furnizimin me energji.
Ndërkohë, disa vende si Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar po përfitojnë nga investimet në energjinë e rinovueshme. Spanja ka dyfishuar kapacitetin e energjisë diellore dhe të erës që nga viti 2019, ndërsa në Britani energjia e erës ka arritur nivele rekord.
Ekspertët theksojnë se investimet në energji të pastër kanë ndihmuar në uljen e varësisë nga gazi dhe kanë kursyer miliarda euro në të gjithë Evropën, duke e bërë këtë sektor gjithnjë e më të rëndësishëm në përballimin e krizave energjetike.
