Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heq sanksionet ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez


Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet ndaj presidentes së përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, në një zhvillim që sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, përcjell DW.

Vendimi u publikua nga Departamenti i Thesarit, ku emri i saj u hoq nga lista e personave të sanksionuar, duke i hapur rrugë bashkëpunimit më të lirë me kompani dhe investitorë amerikanë.

Heqja e sanksioneve i mundëson Rodríguez të zhvillojë marrëdhënie ekonomike dhe financiare me SHBA-në, veçanërisht në sektorin e energjisë, ku Uashingtoni ka filluar të lehtësojë kufizimet për industrinë venezueliane të naftës.

Vetë Rodríguez e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ky zhvillim vjen pas rrëzimit nga pushteti të ish-presidentit Nicolás Maduro në janar, pas një operacioni të forcave amerikane në Karakas, çka çoi në marrjen e drejtimit të vendit nga Rodríguez.

Sanksionet ndaj saj ishin vendosur në vitin 2018, gjatë administratës së parë të Donald Trump, për shkak të rolit të saj në qeverinë e Maduro-s.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit duket se po përmirësohen gradualisht. SHBA ka ndërmarrë hapa për të rihapur ambasadën në Venezuelë dhe për të lejuar shitjen e naftës venezueliane në tregjet ndërkombëtare.

Analistët e shohin këtë si pjesë të një strategjie më të gjerë për stabilizimin ekonomik të Venezuelës dhe rikthimin e saj në tregjet globale, ndërsa pritet që në vijim të shqyrtohet edhe heqja e sanksioneve të tjera ndaj vendit.