
Shqipëria përkujton sot 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit dhe në rrugën e tij drejt integrimit euroatlantik.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, Shqipëria nisi një proces të gjerë transformimi politik dhe institucional, duke u orientuar drejt bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Procesi i anëtarësimit në NATO filloi në vitin 1992, kur Shqipëria u pranua në Këshilli i Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, një mekanizëm i krijuar për të ndërtuar marrëdhënie me vendet që dolën nga regjimet komuniste në Evropë.
Një moment kyç në këtë rrugëtim ishte viti 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkruan Karta e Adriatikut. Kjo nismë synonte të përgatiste këto vende për anëtarësim në NATO.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në samitin e Bukureshtit më 2 prill 2008 dhe më 25 prill të po atij viti nisi zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.
Anëtarësimi u finalizua më 1 prill 2009, duke e bërë Shqipërinë vend anëtar me të drejta të plota të Aleancës. Pak ditë më vonë, më 4 prill 2009, vendi mori pjesë për herë të parë si anëtar në samitin e NATO-s të mbajtur në Strasbourg dhe Kehl.
Anëtarësimi në NATO konsiderohet një arritje strategjike për Shqipërinë, duke garantuar sigurinë kombëtare dhe duke forcuar rolin e saj në skenën ndërkombëtare.
Që prej vitit 2009, Shqipëria ka kontribuar në misionet dhe operacionet e Aleancës, duke dëshmuar angazhimin e saj si një partnere e besueshme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.