
Temperaturat e ulëta kanë sjellë reshje dëbore në disa zona të Qarkut të Kukësit, kryesisht në segmentet e larta malore, ku është shfaqur edhe mjegull e dendur.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, reshjet janë regjistruar në aksin Kukës–Shishtavec, ku kompania kontraktore ka ndërhyrë menjëherë me mjete borëpastruese dhe punëtorë për të mbajtur të kalueshëm segmentin rrugor.
Ndërhyrjet janë përqendruar veçanërisht në pjesën nga Ura e Shtrezës deri në doganën e Shishtavecit, ku ka prezencë të dëborës dhe mjegullës së dendur. Sipas të dhënave nga terreni, intensiteti i reshjeve në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit është në rënie.
I gjithë qarku është përfshirë nga mot i paqëndrueshëm, me reshje shiu në zonat e ulëta dhe dëborë në zonat malore, të shoqëruara edhe me erëra të forta.
Megjithatë, trashësia e dëborës në zonat e larta nuk ka kaluar 3 centimetra, çka deri tani nuk ka krijuar probleme serioze në lëvizjen e automjeteve. Në segmentin Kukës–Tunel të Rrugës së Kombit nuk raportohet prezencë dëbore dhe qarkullimi vijon normalisht.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt zonave të thella malore dhe të respektojnë udhëzimet e policisë rrugore dhe të shërbimeve të mirëmbajtjes.