Bashkimi Europian po përgatit terrenin për të kryer pagesën e parë ndaj Ukrainës nga paketa prej 90 miliardë eurosh, por procesi mbetet i bllokuar për shkak të vetos së Hungarisë.
Komisioni Europian synon që fondet të disbursohen menjëherë sapo të hiqet bllokada, për të mbështetur buxhetin e dëmtuar nga lufta dhe për të shmangur shkurtime të dhimbshme në shërbimet publike, përcjell Euronews.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán po e bllokon ndihmën për shkak të një mosmarrëveshjeje me Kievin lidhur me tubacionin e naftës Druzhba. Ndërkohë, Ukraina pretendon se infrastruktura është dëmtuar nga sulmet ruse dhe ka nevojë për riparime, ndërsa Budapesti e konsideron bllokimin si të qëllimshëm.
Në Bruksel pritet që vetoja të vazhdojë të paktën deri pas zgjedhjeve të 12 prillit, ku Orbán përballet me rivalin e tij Péter Magyar. Rezultati i këtyre zgjedhjeve shihet si vendimtar për fatin e marrëveshjes.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, ka garantuar se BE do të qëndrojë në mbështetje të Ukrainës. “Ne do ta realizojmë kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën,” u shpreh ajo.
Sipas planit, 45 miliardë euro do të shpërndahen gjatë vitit 2026, ku 16.7 miliardë janë për mbështetje financiare dhe 28.3 miliardë për ndihmë ushtarake, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet për vitin 2027.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se bllokimi politik mund të ketë pasoja serioze, duke theksuar se vendi mund të mbetet pa ndihmë të jashtme që në mesin e majit. “Sa kohë që bllokimi vazhdon, kërcënimi mbetet,” deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se situata lidhet me interesa politike që favorizojnë Rusinë.
Nëse vetoja hiqet pas zgjedhjeve, pagesa e parë mund të kryhet brenda pak ditësh, pasi fondet janë tashmë të gatshme dhe mungon vetëm miratimi ligjor për transferimin e tyre.
