Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon për përplasjet në PS: E pabesueshme që fokusi ishte “çfarë i tha njërit apo tjetrit”


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas raportimeve për përplasje në mbledhjen e fundit të grupit të zgjeruar parlamentar të Partia Socialiste, duke i cilësuar interpretimet mediatike si të ekzagjeruara.

Nga një takim me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, Rama nuk i mohoi debatet, por u shpreh i habitur nga mënyra se si janë pasqyruar ato në media.

“Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua… që pas një mbledhjeje disa orëshe për çështje të rëndësishme, raportimi për publikun ishte çfarë i tha Edi Rama njërës apo tjetrit,” deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se mbledhja kishte në fokus tema si çështjet e pronave, shërbimi i kadastrës dhe reforma administrative-territoriale, si dhe diskutime për komunikimin dhe organizimin e partisë.

Sipas tij, qytetarët janë më të shqetësuar për çështje konkrete të jetës së përditshme, si rritja e çmimeve, veçanërisht e naftës, që lidhet me zhvillimet ndërkombëtare.

 “Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që, besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji, për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër, etj.

Pastaj flasim për reformën administrative territoriale ku bashkëkryetari prezanton gjithë analizën e bërë këto muaj të të dhënave demografike, financiare, skenarët etj etj, dhe pastaj bëjmë një sesion tjetër për temat e komunikimit dhe për këtë fushatë brenda partisë dhe rreth partisë fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj tenxheret e vogla, apo ato të mbushura me helm që në mëngjes, por media kombëtare.

Raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dijnë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës, kjo është jeta reale. Çmimi që rritet si rezultat i një lufte, që as e kemi hapur ne, as na ka pyetur njeri ne për ta hapur dhe që është një luftë kundër një vendi ku ka një regjim armiqësor ndaj nesh si Shqipëri”, u shpreh ai.