Spanja ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët e Shtetet e Bashkuara të përfshirë në sulmet ndaj Iranit, një hap që shkon përtej refuzimit të mëparshëm për përdorimin e bazave ushtarake.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, deklaroi se Madridi nuk do të lejojë as përdorimin e bazave dhe as të hapësirës ajrore për operacione që lidhen me luftën në Iran.
“Ne nuk autorizojmë as përdorimin e bazave ushtarake dhe as hapësirës ajrore për veprime që lidhen me luftën në Iran,” tha ajo.
Sipas raportimeve, ky vendim detyron avionët ushtarakë të devijojnë rrugën e tyre drejt Lindjes së Mesme, megjithëse përjashtohen rastet emergjente, përcjell Reuters.
Ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, theksoi se kjo është pjesë e qëndrimit të qeverisë spanjolle për të mos marrë pjesë në një luftë që, sipas saj, është nisur në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Ndërkohë, kryeministri Pedro Sánchez ka qenë ndër kritikët më të fortë të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si të pamatura dhe të paligjshme.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa tregtare ndaj Spanjës për shkak të refuzimit për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake në këtë konflikt.
