
Rusia deklaroi të hënën se një anije cisterne që transportonte 100,000 metër kub naftë bruto ka mbërritur në Kubë. Moska u shpreh se do t’u qëndrojë pranë miqve të saj duke punuar për furnizime të mëtejshme, pavarësisht bllokadës së SHBA-së ndaj ishullit komunist.
SHBA-ja ndërpreu eksportet e naftës së Venezuelës drejt Kubës pas rrëzimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro më 3 janar, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me tarifa ndëshkuese çdo vend tjetër që do dërgonte naftë bruto në Kubë.
Megjithatë, Trump sinjalizoi të dielën se po ndryshonte kurs, duke shprehur simpati për nevojën e popullit kuban për energji.
Ministria ruse e Transportit njoftoi se anija “Anatoly Kolodkin” ishte në pritje për të shkarkuar ngarkesën në portin e Matanzas. Kremlini deklaroi se e kishte ngritur çështjen e kësaj anijeje gjatë bisedimeve me SHBA-në, por se Rusia ndjente detyrimin për të mbështetur “miqtë” në Kubë.
“Kjo çështje u ngrit vërtet paraprakisht gjatë kontakteve me partnerët tanë amerikanë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Sipas presidentit Miguel Diaz-Canel, Kuba nuk kishte marrë sasnjë anije nafte prej tre muajsh. Kriza energjetike ka shkaktuar ndërprerje të energjisë në mbarë vendin me 10 milionë banorë. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se kriza ka rritur rrezikun e vdekshmërisë për pacientët me kancer, veçanërisht fëmijët.
Kuba u bë e varur nga Bashkimi Sovjetik për naftë pas revolucionit komunist të vitit 1959 dhe ka nevojë për lëndë djegëse të importuar për prodhimin e energjisë.
I pyetur nëse do pasojnë dërgesa të tjera ruse, Peskov tha: “Në gjendjen e dëshpëruar në të cilën ndodhen tani kubanët, kjo natyrisht nuk mund të na lërë indiferentë, ndaj do vijojmë të punojmë në këtë drejtim.”
Të dhënat e gjurmimit të anijeve nga LSEG treguan se anija ruse ishte larguar nga porti rus i Primorskut në Detin Baltik më 8 mars dhe tani po lëvizte përgjatë bregut verior të Kubës, shkruan Reuters.