
Anijet do duhet të paguajnë për të kaluar tranzit në Ngushticën e Hormuzit sipas një ligji të ri që parlamenti iranian, ka të ngjarë të miratojë në të ardhmen e afërt, deklaroi Alaeddin Boroujerdi, anëtar i Komitetit të Mejlisit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kombëtare.
TASS ka përmbledhur detajet kryesore të situatës rreth ngushticës, ku Boroujerdi pohoi se kalimi i anijeve do t’i nënshtrohet një takse e cila do të vilet në përputhje me ligjin e ri që pritet të kalojë së shpejti.
Sipas vërejtjeve të tij të raportuara nga SNN, siguria dhe shërbimet për anijet do financohen përmes këtyre tarifave, ashtu siç parashikohet në projektligj. Më 26 mars, Mohammad Reza Rezaei Kouchi, kreu i Komisionit Civil të parlamentit iranian, njoftoi zyrtarisht se parlamenti do miratonte ligjin për vendosjen e taksës mbi anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Më herët, The Wall Street Journal raportoi se kërkesat e Iranit ndaj SHBA-së përfshinin një procedurë të re për anijet tranzit, e cila dyshohet se do t’i lejojë Iranit të mbledhë tarifa të ngjashme me marrëveshjen që Egjipti ka për Kanalin e Suezit.
Si reagim ndaj këtij vendimi, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Uashingtoni mund t’i japë fund sistemit iranian të tarifave për anijet tregtare brenda pak minutash nëse është e nevojshme, ndonëse vuri në dukje se fillimisht duhet verifikuar saktësia e këtij informacioni.
Ndërkohë, Trump deklaroi dje se autoritetet iraniane kanë lejuar kalimin e 20 anijeve cisterne, ndërsa ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, shkroi në rrjetin X më 28 mars se Irani ka dhënë leje për 20 anije me flamur pakistanez, me një ritëm prej dy anijesh në ditë.
Megjithatë, më 11 mars, një përfaqësues i Shtabit Qendror iranian “Khatam al-Anbiya” deklaroi se Irani nuk do të lejojë asnjë dërgesë nafte të lidhur me SHBA-në dhe aleatët e saj të kalojë përmes ngushticës, ku qarkullon rreth një e pesta e eksporteve botërore të naftës.
Më 25 mars, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi njoftoi se Irani kishte autorizuar kalimin vetëm për vendet miqësore, përfshirë Rusinë, Indinë, Irakun, Kinën dhe Pakistanin.
Sa i përket situatës në rajon, më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit, duke goditur qytete të mëdha përfshirë Teheranin. Garda Revolucionare Islame, njësia elitë e forcave të armatosura iraniane, njoftoi një operacion hakmarrës në shkallë të gjerë dhe sulmoi Izraelin, ndërsa objektet ushtarake të SHBA-së në Bahrein, Jordani, Irak, Katar, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite u vunë gjithashtu në shënjestër.
Autoritetet iraniane vendosën gjithashtu të mbyllin Ngushticën e Hormuzit për anijet e lidhura me SHBA-në, Izraelin dhe vendet që mbështetën agresionin, dhe gjatë konfliktit, një numër anijesh kisterne u sulmuan sepse kaluan ngushticën pa lejen e Teheranit.